Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) po vazhdon në Prishtinë mbledhjen e nënshkrimeve për nismën legjislative qytetare për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Aktiviteti po zhvillohet në Sheshin “Nëna Terezë”, afër Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ku qytetarë të shumtë janë ndalur për t’u informuar rreth nismës dhe për ta mbështetur atë me nënshkrimin e tyre.
Nismën e ka mbështetur edhe ish-kryeministri dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Avdullah Hoti, i cili ka vizituar stendën e IKD-së dhe e ka nënshkruar nismën legjislative qytetare.
Nisma synon ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal përmes dy propozimeve kryesore: përcaktimin si vepër penale të moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe sanksionimin penal të përdorimit të parasë publike për përfitim elektoral gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
IKD ka ftuar qytetarët e Prishtinës që të vizitojnë stendën informuese, të njihen me përmbajtjen e nismës dhe ta mbështesin atë me nënshkrimin e tyre.
Sipas IKD-së, mbështetja e nismës synon forcimin e sundimit të ligjit, respektimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe mbrojtjen e parasë publike nga keqpërdorimi për përfitime elektorale

