Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën epidemiologjike me fruth në vend, duke bërë të ditur se nga 16 prilli deri më 17 gusht 2026 janë konfirmuar gjithsej 137 raste.
Vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja, çka tregon për vazhdimin e përhapjes së sëmundjes në disa komuna të Kosovës.
Prishtina dhe Fushë-Kosova me numrin më të madh të rasteve
Sipas të dhënave të IKShPK-së, numri më i lartë i rasteve është regjistruar në:
- Prishtinë – 47 raste
- Fushë-Kosovë – 34 raste
- Ferizaj – 12 raste
- Obiliq – 8 raste
- Kaçanik – 7 raste
- Lipjan – 7 raste
- Skenderaj – 3 raste
- Vushtrri – 3 raste
- Drenas – 3 raste
- Gjilan – 2 raste
- Shtime – 2 raste
- Shtërpcë – 2 raste
- Deçan – 2 raste
Nga një rast është raportuar në Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.
Janë vaksinuar 276 fëmijë
Për shkak të rritjes së rasteve, ekipet e vaksinimit kanë intensifikuar aktivitetet në komunat më të prekura.
Gjatë javës së fundit, në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj, janë vaksinuar me vaksinën MMR gjithsej 276 fëmijë të cilët kishin vonesa në vaksinim sipas kalendarit të rregullt.
IKShPK apelon te prindërit
IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe, në rast se nuk janë vaksinuar sipas kalendarit, të kontaktojnë qendrat e mjekësisë familjare.
Instituti rekomandon që personat me simptoma të dyshimta, përfshirë temperaturë të lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten sa më shpejt në institucionin më të afërt shëndetësor.
IKShPK thekson se fruthi është shumë ngjitës dhe mund të shkaktojë komplikime, ndërsa vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj në komunitet.

