Deputetët e PDK-së dhe AAK-së kanë vazhduar aksionin para institucioneve të Kosovës, duke kërkuar vazhdimin e seancës konstituive dhe formimin e institucioneve të reja. PDK-ja thotë se do të qëndrojë në Kuvend deri në konstituimin e tij.
Deputetja e zgjedhur e PDK-së, Ganimete Musliu, ka deklaruar se partia e saj do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kuvend deri në përfundimin e procesit të konstituimit të institucioneve të Kosovës.
Musliu tha se PDK-ja, për të gjashtën ditë radhazi, po i bën thirrje deputetit dhe kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që të kthehet në Kuvend dhe të marrë pjesë në konstituimin e institucioneve.
“Me PDK-në jemi këtu për të gjashtën ditë radhazi, që t’i bëjmë thirrje deputetit Albin Kurti, njëherësh kryetarit të VV-së, që të kthehet në Kuvendin e Kosovës dhe t’i konstituojë institucionet e vendit, për çka ka marrë mandatin dhe besimin e qytetarëve të Kosovës”, tha Musliu.
Musliu: Nuk do të ndalemi
Deputetja e PDK-së kritikoi Kurtin, duke pretenduar se ai kontrollon institucionet kryesore të vendit dhe grupin parlamentar të LVV-së.
“Albin Kurti ka kapur Qeverinë, Presidencën, Kuvendin dhe, mbi të gjitha, edhe grupin parlamentar të LVV-së, të cilët nuk kanë guxim të vijnë për ta konstituar Kuvendin”, u shpreh ajo.
Musliu tha se PDK-ja nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj dhe do të vazhdojë të jetë e pranishme në Kuvend.
“Nuk do të ndalemi. Kosova ka nevojë sot më shumë se kurrë që t’i ketë këto institucione. Prandaj, PDK vazhdon të qëndrojë me bindjet e saj. Sot dhe çdo ditë do të jemi këtu, deri në konstituimin e Kuvendit”, deklaroi Musliu.
AAK i bashkohet aksionit
Në aksionin e PDK-së para objektit të Qeverisë së Kosovës janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në shenjë proteste ndaj asaj që e cilësojnë si bllokadë institucionale dhe mosvazhdim të seancës konstituive të Kuvendit.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se kërkesa e tyre kryesore është respektimi i Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
“E gjithë ajo që po kërkojmë është të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Kadrijaj.
Sipas saj, institucionet e Kosovës duhet të konstituohen dhe të funksionojnë brenda afateve dhe rregullave të përcaktuara me Kushtetutë dhe ligj.
Kadrijaj kritikoi gjithashtu Kurtin, duke thënë se askush nuk është mbi Kushtetutën dhe ligjin.
“Askush nuk është mbi ligjin dhe mbi ligjin nuk është as Albin Kurti, i cili po mendon se është njëfarë shefi dhe mund ta interpretojë ligjin e Kushtetutën ashtu siç dëshiron vetë”, tha ajo.
PDK dhe AAK kërkojnë që procesi i konstituimit të Kuvendit të vazhdojë, ndërsa ngërçi politik mbetet i pazgjidhur.

