Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, pas një rasti të raportuar më 20 gusht në Leposaviq.
Sipas Policisë, personi ankues kishte raportuar se persona të panjohur kishin hyrë në shtëpinë e tij në kohën kur aty nuk ndodhej askush dhe kishin vjedhur 12 mijë euro, 40 mijë dinarë dhe dy zinxhirë ari.
Rasti është marrë për hetim nga Njësia Rajonale e Hetimeve në Mitrovicën e Veriut. Pas veprimeve operative dhe hetimore, në bashkëpunim edhe me qytetarët, policia ka identifikuar katër persona të dyshuar. Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa një tjetër vazhdon të jetë në kërkim.
Me autorizim të Prokurorit të Shtetit janë kryer kontrolle në adresat e banimit të personave të dyshuar.
Gjatë kontrollit në fshatin Borovë të Leposaviqit, ku u arrestua N.V. (2006), policia ka gjetur një fishek për pistoletë.
Ndërsa gjatë kontrollit në Leshak, ku u arrestua N.L. (2007), janë gjetur 5,300 euro, të cilat dyshohet se kanë prejardhje nga vjedhja.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, N.V. dhe N.L. janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Personi i tretë i arrestuar, D.M. (2009), është liruar dhe rasti ndaj tij do të trajtohet në procedurë të rregullt.
Policia apelon për kujdes
Policia ka bërë të ditur se, bazuar edhe në hetimet për raste të tjera të vjedhjeve, këto incidente ndodhin më së shpeshti kur pronarët nuk ndodhen në shtëpi ose banesa dhe objektet mbeten pa mbikëqyrje.
Për këtë arsye, policia u ka bërë thirrje qytetarëve që, kur largohen nga shtëpitë, të sigurohen që ato të jenë nën përkujdesjen e një familjari ose personi të besueshëm.
Gjithashtu, qytetarëve u rekomandohet që, kur është e mundur, sendet dhe paratë me vlerë të mos lihen në shtëpi pa mbikëqyrje.
Policia ka theksuar se do të vazhdojë hetimet për rastin dhe kërkimin e personit të katërt të dyshuar.
Për çdo rast të dyshimtë, qytetarët ftohen të kontaktojnë Policinë e Kosovës në numrin 192.

