Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 ka nisur procesin e rikthimit në operim, pas përfundimit të sanimeve të nevojshme.
Sipas njoftimit të KEK-ut, njësia A4 ka filluar procesin e startimit dhe pritet që së shpejti të sinkronizohet me rrjetin elektrik.
“Pas përfundimit me sukses të sanimeve të nevojshme, njësia A4 ka filluar procesin e startimit dhe së shpejti pritet të sinkronizohet me rrjetin”, thuhet në njoftimin e Korporatës Energjetike të Kosovës.
KEK ka bërë të ditur se gjatë fazës së startimit mund të vërehet tym më i theksuar për disa orë, për shkak të proceseve teknologjike që shoqërojnë rikthimin e njësisë në funksion.
Korporata ka kërkuar mirëkuptimin e Komunës së Obiliqit dhe qytetarëve gjatë kësaj periudhe të shkurtër.
Rikthimi i njësisë A4 në operim pritet të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë elektrike dhe në stabilitetin e sistemit energjetik të Kosovës.

