Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se institucionet e Kosovës janë në komunikim të vazhdueshëm me KFOR-in për hapjen e plotë të urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kalimin e saj nën kontrollin e Policisë së Kosovës.
Kurti tha se Qeveria dhe institucionet e sigurisë janë duke komunikuar çdo ditë me misionin e NATO-s në Kosovë, me qëllim që procesi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore.
“Jemi në komunikim të përditshëm, qoftë Kryeministria, qoftë Ministria e Punëve të Brendshme, në mënyrë që gjithçka të shkojë në mënyrë të qetë dhe paqësore”, deklaroi Kurti në një konferencë për media më 22 gusht.
Ai bëri të ditur se gjatë së shtunës do të zhvillonte takim me komandantin e KFOR-it, Ozgan Ulutash, ndërsa e cilësoi si “absurde” vazhdimin e mbylljes së urës për automjete.
“Duhet të përkujtojmë që pas ndërtimit të urave të reja është bërë absurde që ajo urë të mbahet e mbyllur”, tha Kurti.
Sipas tij, fakti që qytetarët tashmë qarkullojnë nëpër urat e reja pa shtim të incidenteve apo tensioneve tregon se lëvizja më e lirë e njerëzve dhe mallrave mund të kontribuojë si në ekonomi, ashtu edhe në paqe dhe siguri.
Ura mbetet e mbyllur për automjetet
Ura kryesore mbi Ibër aktualisht është e hapur për këmbësorë, por jo për qarkullimin e automjeteve.
Që nga përfundimi i luftës, ura ka qenë nën mbikëqyrjen e KFOR-it dhe ndër vite është konsideruar një nga pikat më të ndjeshme të përplasjeve ndëretnike në veri të Kosovës.
Së fundmi, KFOR-i ka nisur procesin e tërheqjes graduale të pranisë së tij nga ura, si pjesë e procesit të optimizimit të pozicionimit të trupave. NATO ka theksuar se çdo vendim për hapjen e urës për automjete duhet të marrë parasysh nevojat e të gjitha komuniteteve lokale.
Serbia kundërshton tërheqjen e KFOR-it
Procesi i reduktimit të pranisë së KFOR-it në urë është kundërshtuar nga Serbia.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i ka dërguar letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, duke kërkuar ndalimin e procesit dhe hapjen e urës mbi Ibër.
Vuçiq ka pretenduar se tërheqja e KFOR-it nga ura do të krijonte kushte për një “përballje përfundimtare” me popullsinë serbe në veri të Kosovës.
Në anën tjetër, ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka thënë se përpjekjet e Serbisë për ta paraqitur optimizimin e pranisë së KFOR-it si kërcënim për komunitetin serb nuk përputhen me situatën në terren.
Sipas Maqedoncit, optimizimi i pozicionimit të KFOR-it bazohet në vlerësime profesionale të situatës së sigurisë dhe nuk paraqet zvogëlim të sigurisë për qytetarët apo komunitetet në Kosovë.
KFOR: Procesi mund të zhbëhet
NATO ka bërë të ditur se procesi i tërheqjes graduale nga ura është pjesë e optimizimit të pozicionimit të KFOR-it dhe mund të zhbëhet në varësi të zhvillimeve të sigurisë.
KFOR-i ka theksuar gjithashtu se do të vazhdojë të ketë prani të dukshme në Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut dhe në pjesë të tjera të veriut të Kosovës.
Dy ura të reja janë ndërtuar pranë urës kryesore
Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar në korrik të vitit 2024 hapjen e urës kryesore mbi Ibër edhe për automjetet, por nisma shkaktoi reagime dhe shqetësime nga bashkësia ndërkombëtare.
Ndërkohë, institucionet e Kosovës kanë ndërtuar dy ura të tjera pranë urës kryesore – një për këmbësorë dhe një për automjete – me synimin për të përmirësuar lidhjen ndërmjet Mitrovicës së Veriut dhe asaj të Jugut.
Pavarësisht ndryshimeve në situatën e sigurisë dhe pranisë së KFOR-it, hapja e plotë e urës kryesore mbi Ibër mbetet çështje e ndjeshme politike dhe e sigurisë, ndërsa vendimi përfundimtar për qarkullimin e automjeteve pritet të lidhet me koordinimin ndërmjet institucioneve të Kosovës, KFOR-it dhe faktorëve ndërkombëtarë.

