Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se sot do të vendosen kufizime të përkohshme të qarkullimit në autoudhë për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, për shkak të temperaturave të larta.
Sipas njoftimit të ministrisë, kufizimi do të jetë në fuqi në autoudhë nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius.
Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse, qarkullimi i automjeteve të rënda do të lejohet pa kufizime.
Nga masa përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe drejtuesve të automjeteve të transportit që ta respektojnë kufizimin dhe ta planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar.
Masa synon të reduktojë rrezikun që temperaturat e larta mund të shkaktojnë në infrastrukturën rrugore dhe të kontribuojë në sigurinë e komunikacionit gjatë periudhës së vapës.

