Sistemi për arkëtimin e gjobave të evidentuara automatikisht përmes sistemit “Safe City” ndaj automjeteve me targa të huaja, pas vendkalimit kufitar Tabanoc, pritet të shtrihet së shpejti edhe në vendkalimet e tjera kufitare të Maqedonisë së Veriut, përfshirë Bllacën.
Ministria e Punëve të Brendshme po përgatit zgjerimin e sistemit, përmes të cilit shtetasit e huaj që kanë kryer shkelje në komunikacion në territorin e Maqedonisë së Veriut do të mund t’i paguajnë gjobat gjatë daljes nga vendi.
Sipas të dhënave të deritanishme, që nga fillimi i zbatimit të sistemit më 19 gusht, në Tabanoc janë paguar më shumë se 1,000 gjoba, ndërsa MPB-ja ende nuk ka publikuar shifrën e saktë.
Pagesa edhe përmes aplikacionit
Për të lehtësuar procedurën, MPB-ja ka vënë në funksion aplikacionin “Safe City”, i dedikuar për shtetasit e huaj dhe pronarët apo drejtuesit e automjeteve me targa të huaja.
Përmes aplikacionit, përdoruesit mund të kontrollojnë nëse kanë kryer shkelje në komunikacion, të marrin procesverbalin dhe të kryejnë pagesën elektronike të gjobës.
Për regjistrim kërkohet fotografimi ose skanimi i pasaportës dhe vendosja e targës së automjetit.
Zëdhënësi i MPB-së, Goce Andreevski, ka shpjeguar se sistemi u mundëson shoferëve të huaj të informohen në kohë për shkeljet dhe t’i shlyejnë detyrimet pa pasur nevojë të ndalojnë në vendkalimet kufitare.
Kolona kilometrike në Tabanoc
Zbatimi fillestar i sistemit në Tabanoc ka shkaktuar probleme dhe pritje të gjata. Për dy ditë me radhë janë krijuar kolona kilometrike, ndërsa pritjet për pagesën e gjobave në sportele kanë arritur deri në dy orë.
Disa shtetas të huaj janë ankuar për procedurat e ndërlikuara dhe problemet me funksionimin e aplikacionit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka bërë të ditur se në Tabanoc janë vendosur edhe kamera të mençura, të cilat identifikojnë automjetet e kapura nga sistemi “Safe City” dhe i sinjalizojnë policisë.
Me zgjerimin e sistemit në vendkalimet e tjera kufitare, përfshirë Bllacën, autoritetet synojnë që arkëtimi i gjobave për automjetet me targa të huaja të bëhet më efikas dhe të shmangen ndalesat e gjata në kufi.

