Parisi do të përshpejtojë dërgimin e raketave dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën, ndërsa Berlini ka njoftuar 60 milionë euro të tjera ndihmë. Vendimet vijnë pas një sulmi rus në Krivji Rih, ku mbetën të vrarë të paktën 16 persona dhe u plagosën më shumë se 130 të tjerë.
Franca dhe Gjermania po rrisin mbështetjen ushtarake dhe financiare për Ukrainën, ndërsa Kievi kërkon forcimin e mbrojtjes ajrore pas një prej sulmeve më të rënda ruse ndaj civilëve në ditët e fundit.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka njoftuar përshpejtimin e dërgimit të raketave dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore, ndërsa Gjermania ka premtuar 60 milionë euro ndihmë shtesë.
Vendimi i Macronit erdhi pas një bisede me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe pas sulmit rus ndaj një qendre tregtare në Krivji Rih, ku, sipas autoriteteve ukrainase, të paktën 16 persona u vranë dhe më shumë se 130 të tjerë u plagosën, mes tyre 23 fëmijë. Katër persona rezultojnë ende të zhdukur.
Franca përshpejton dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore
“Fola me presidentin Zelensky pas sulmit të dyfishtë rus, në mes të ditës, ndaj një qendre tregtare në Krivji Rih, i cili shkaktoi viktima të shumta në mesin e civilëve, dhe shpreha tmerrin dhe pikëllimin tonë të thellë”, deklaroi Macron.
Presidenti francez bëri të ditur se Franca do ta forcojë mbështetjen për Ukrainën përmes përshpejtimit të dërgimit të raketave interceptuese dhe sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Macron u bëri thirrje edhe vendeve të tjera që disponojnë kapacitete të tilla t’i bashkohen përpjekjeve për forcimin e mbrojtjes së Ukrainës.
“Është thelbësore që të gjitha vendet që kanë këto kapacitete t’i bashkohen gjithashtu kësaj përpjekjeje. Ne duhet të vazhdojmë të rrisim presionin ndaj Rusisë, për aq kohë sa ajo zgjedh të refuzojë armëpushimin dhe paqen”, tha ai.
Parisi pritet të përshpejtojë vendosjen në Ukrainë të sistemit të mbrojtjes ajrore SAMP/T, ndërsa Kievi do të marrë edhe licencë për prodhimin e raketave interceptuese.
Franca synon gjithashtu të përshpejtojë dërgimin e raketave lundruese me rreze të gjatë SCALP, si dhe të armatimeve të tjera.
Macron njoftoi se aleatët e Ukrainës në koalicionin e udhëhequr nga Franca dhe Britania e Madhe do të takohen më 24 gusht në Kiev, për të diskutuar masa të reja për rritjen e presionit ndaj Moskës. Takimi do të zhvillohet me pjesëmarrje fizike dhe online të liderëve.
Gjermania njofton 60 milionë euro ndihmë
Mbështetje e re për Kievin është njoftuar edhe nga Gjermania.
Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin ukrainas, ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul premtoi 50 milionë euro shtesë ndihmë humanitare, kryesisht për popullsinë pranë vijës së frontit dhe për përgatitjet për dimrin.
Fondet do t’u kalohen organizatave të Kombeve të Bashkuara dhe organizatave joqeveritare dhe do të përdoren, ndër të tjera, për riparimin e banesave dhe sigurimin e pajisjeve sanitare dhe të ngrohjes.
Gjermania do të japë gjithashtu 10 milionë euro në një fond të NATO-s për Ukrainën. Paratë do të përdoren për furnizimin me energji, materiale mjekësore dhe sisteme të mbrojtjes kundër dronëve.
Wadephul dënoi ashpër intensifikimin e sulmeve ruse me raketa dhe dronë, duke e akuzuar Moskën për “vrasje të verbër të civilëve” dhe shkatërrim të qëllimshëm të infrastrukturës energjetike.
“Ne qëndrojmë në krah të Ukrainës. Ne e mbështesim atë. Ajo do ta fitojë këtë përballje ushtarake”, deklaroi ministri gjerman.
Sipas tij, korriku dhe gushti kanë qenë muajt më vdekjeprurës për civilët ukrainas gjatë më shumë se katër viteve të luftës, ndërsa Rusia nuk kishte lëshuar më parë kaq shumë raketa kundër Ukrainës.
Aleatët takohen më 24 gusht në Kiev
Ministri gjerman tha gjithashtu se brenda Rusisë po shfaqen “shenja dobësie”, duke përmendur problemet ekonomike, shtimin e represionit dhe propagandën e regjimit.
Sipas Wadephulit, rritja e mbështetjes për Ukrainën synon edhe ta detyrojë Moskën të pranojë se rruga e vetme për t’i dhënë fund luftës është negociimi i një marrëveshjeje paqeje.
Lëvizjet e Parisit dhe Berlinit vijnë në një moment të rëndësishëm për Ukrainën, e cila më 24 gusht shënon 35-vjetorin e shpalljes së pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik.
Në të njëjtën ditë, Kievi do të jetë në qendër të konsultimeve të reja mes aleatëve, ndërsa lufta vazhdon dhe përpjekjet diplomatike për arritjen e një armëpushimi nuk kanë sjellë ende një marrëveshje mes Moskës dhe Kievit.

