Selia e Shenjtë po planifikon ndërtimin e një impianti të madh të energjisë së rinovueshme, që kombinon prodhimin e energjisë diellore me bujqësinë. Projekti synon ta bëjë Vatikanin plotësisht të vetëqëndrueshëm në aspektin energjetik.
Vatikani po planifikon ndërtimin e një impianti agro-diellor me vlerë rreth 100 milionë euro, i cili pritet të furnizojë me energji Selinë e Shenjtë brenda dy viteve.
Sipas Reuters, projekti do të ketë një kapacitet të parashikuar prej 80 deri në 90 megavatësh, duke e bërë atë një nga impiantet më të mëdha të këtij lloji në Itali.
Panelet diellore mbi tokën bujqësore
Projekti do të ndërtohet në pronën “Santa Maria di Galeria”, në periferi të Romës, e cila i përket Vatikanit.
Në një impiant agro-diellor, panelet fotovoltaike vendosen disa metra mbi tokë, duke bërë të mundur që hapësirat poshtë tyre të vazhdojnë të përdoren për bujqësi.
Hija e krijuar nga panelet mund të ndihmojë në reduktimin e avullimit të ujit dhe në mbrojtjen e kulturave bujqësore nga temperaturat e larta dhe kushtet ekstreme të motit.
Komisioni i përbashkët Itali–Vatikan u mblodh në fillim të këtij muaji për të nisur procedurat për zhvillimin e projektit. Nisma u bë e mundur pas ratifikimit nga Italia të marrëveshjes dypalëshe për zhvillimin e kësaj zone.
Ndërtimi mund të zgjasë deri në dy vjet
Edhe pse zyrtarët nuk kanë bërë publike ende të gjitha detajet lidhur me koston, kapacitetin dhe afatet përfundimtare, burime të përfshira në negociata kanë thënë se ndërtimi mund të zgjasë 18 deri në 24 muaj, duke përfshirë procedurat administrative dhe marrjen e lejeve të nevojshme.
Vatikani synon që energjia e prodhuar të përdoret për furnizimin e stacionit transmetues të Radios së Vatikanit, me qëllim që Shteti i Qytetit të Vatikanit të arrijë vetëqëndrueshmëri të plotë energjetike.
Energjia e tepërt mund të përdoret edhe nga institucione të lidhura me Selinë e Shenjtë, përfshirë spitalin “Bambino Gesù” në Romë.
Një nga prioritetet e Papa Françeskut
Projekti agro-diellor ishte ndër prioritetet e Papa Françeskut, i cili mbështeti masat për përballimin e ndryshimeve klimatike dhe kalimin drejt energjisë së pastër.
Nisma po vazhdon të mbështetet edhe nga Papa Leoni XIV.
Vatikani, shteti më i vogël në botë, me një sipërfaqe prej rreth 44 hektarësh dhe më pak se 900 banorë, synon përmes këtij projekti të reduktojë varësinë nga burimet tradicionale të energjisë dhe të forcojë përdorimin e energjisë së rinovueshme.
Vatikani nuk ka bërë ende një koment zyrtar mbi projektin.

