Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të takohen sot në orën 18:00 në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, për të diskutuar çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Republikës.
Në takimin e paralajmëruar pritet të hidhen në tavolinë edhe emra konkretë për postin e Presidentit, pas takimit të fundit ndërmjet Kurtit dhe Abdixhikut, më 18 gusht.
Çështja e Presidentit vazhdon të jetë pika kryesore e bllokimit politik në Kosovë, ndërsa Kuvendi ende nuk është konstituuar, edhe pse afati kushtetues ka kaluar më 7 gusht.
VV thotë se i ka emrat për President
Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, deklaroi të mërkurën se partia e tij është e gatshme për procesin dhe se tashmë i ka emrat që mund të propozohen për postin e Presidentit.
Megjithatë, Konjufca nuk bëri publikë emrat, duke thënë se publikimi i tyre do ta dëmtonte procesin e negociatave.
“Lëvizja Vetëvendosje është gati. Kryeministri Kurti është gati. Emrat i kemi, po nuk mund t’i ndaj këtu me juve, sepse pastaj kjo do ta humbte kuptimin e procesit të negociimit”, deklaroi Konjufca.
Takimi i dytë brenda gushtit
Kurti dhe Abdixhiku janë takuar për herë të fundit më 18 gusht, kur kanë diskutuar për profilin e Presidentit dhe janë pajtuar që në takimin pasues të shqyrtojnë emra konkretë.
Ndërkohë, Vetëvendosje ka deklaruar se i ka votat e nevojshme për konstituimin e Kuvendit, por ka insistuar se për zhbllokimin e situatës nevojitet marrëveshje për Presidentin.
Në anën tjetër, partitë opozitare, përfshirë Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kritikuar Vetëvendosjen dhe e kanë akuzuar për cenim të rendit kushtetues.
Kriza institucionale lidhet drejtpërdrejt me pamundësinë për zgjedhjen e Presidentit, situatë që më herët çoi Kosovën në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit.
Takimi i sotëm Kurti–Abdixhiku mund të jetë një nga përpjekjet më konkrete për të gjetur një kompromis politik dhe për t’i dhënë fund ngërçit institucional.

