Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar mënyrën e zhvillimit të mbledhjes së fundit të Qeverisë në detyrë, e cila u mbajt në mënyrë elektronike gjatë mbrëmjes.
Bajrami, përmes një postimi në rrjetet sociale, ka ironizuar faktin që mbledhja u zhvillua gjatë natës, duke e lidhur këtë me vendimet për ndarjen e mjeteve publike.
“Aq të zënë janë, sa që mbledhjet e Qeverisë i mbajnë elektronike, edhe atë bile natën, me gjuhën e Albinit në terr”, ka shkruar Bajrami.
Ajo ka ngritur veçanërisht çështjen e kompensimit të fermerëve, duke pyetur pse, sipas saj, Qeveria nuk ka marrë vendim për mbështetjen e bujqve që kanë pësuar dëme nga breshëri.
“Normal, kur është puna me nda mjete për dosta, me bë pagesa e me nda buxhet, vendimet merren shpejt, natën, në terr”, ka deklaruar Bajrami.
Sipas saj, fermerët që punojnë gjatë gjithë vitit dhe ata të cilëve breshëri ua ka dëmtuar të mbjellat presin ende për mbështetje.
“Për ata s’ka asnjë vendim”, ka shkruar ajo.
Bajrami ka kërkuar që vendimet e miratuara në këtë mbledhje dhe mënyra e ndarjes së parasë publike të analizohen një nga një, duke pretenduar se Qeveria po gjen kohë dhe buxhet për interesa politike e partiake, ndërsa qytetarët dhe fermerët mbeten në pritje.
“Kur është puna për qytetarët e fermerë që punojnë e prodhojnë, ata presin. Deri kur presin?”, përfundon reagimi i saj.

