Deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës kanë kërkuar të hyjnë në objektin e Qeverisë së Kosovës, në kuadër të aksionit të tyre protestues për mosvazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit.
Deputetët kanë kërkuar që të lejohen brenda objektit për të zhvilluar një takim me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Një zyrtar policor u ka thënë atyre se do ta konsultojë Kurtin nëse ai pranon t’i takojë.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka deklaruar se Kurti duhet të dalë dhe të takohet me deputetët.
“Nuk është punë dëshire, ai vendin e ka atje, ai duhet me dalë jashtë”, ka thënë Çitaku.
Aksioni i deputetëve të PDK-së po zhvillohet prej disa ditësh para objektit të Qeverisë, me kërkesën për zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit dhe krijimin e institucioneve të reja të vendit.
Sot protestës u janë bashkuar edhe asamblistë dhe aktivistë të PDK-së nga Shtimja dhe Fushë Kosova.
PDK-ja dhe Aleanca kanë kundërshtuar vazhdimisht mosvazhdimin e seancës konstituive, duke kërkuar që Kuvendi të nisë punën dhe të hapet rruga për formimin e institucioneve të reja.
Situata politike në vend vazhdon të mbetet e tensionuar, ndërsa çështja e konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhja e Presidentit janë dy prej çështjeve kryesore që po mbajnë të bllokuar procesin institucional.

