Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, sot më 27 gusht 2026, u mbajt akademia përuruese e librit monografik prej 485 faqesh “ILMI RAMADANI – Veprimtari qëndrestar”, me autor veprimtarin dhe publicistin Selatin Novosella, e organizuar në përvjetorin e parë të ndarjes nga jeta të Ilmi Ramadanit.
Në këtë ngjarje përkujtimore e kulturore morën pjesë anëtarë të familjes Ramadani, bashkëveprimtarë, bashkëluftëtarë të UÇK-së, miq si dhe personalitete të njohura publike e politike, mes të cilëve edhe ish-Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj.
Nderim për figurën e atdhetarit Ilmi Ramadani
Ngjarja nisi me përkujtimin e figurës së Ilmi Ramadanit – ushtarit të UÇK-së, veprimtarit të shquar dhe njeriut të sakrificave të mëdha, i cili u nda nga jeta një vit më parë dhe prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, pranë bashkëveprimtarëve të tij si Rexhep Mala, Nuhi Berisha e Kadri Zeka.
Të pranishmëve me fjalë përshëndetëse e vlerësuese u adresuan:
Prof. dr. Hysen Matoshi, ish-drejtor i Institutit Albanologjik dhe mik i Shoqatës së të Burgosurve Politikë të Kosovës.
Besiana Musmurati, nënkryetare e Komunës së Prishtinës (vajza e bashkëveprimtarit Basri Musmurati).
Prof. dr. Ramë Buja, i cili shërbeu edhe si redaktor i librit dhe propozoi titullin e veprës.
Selatin Novosella, autori i librit.
Programi u pasurua edhe me interpretimet artistike të këngëtarit të njohur Hysni Klinaku, i cili solli këngë kushtuar heronjve të kombit dhe veprimtarisë së Bacës Adem Demaçi.
Një jetë në shërbim të atdheut dhe burgjeve serbe
Gjatë periudhës së okupimit jugosllav e serb, Ilmi Ramadani u arrestua disa herë dhe u dënua me dënime të gjata burgimi për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare. Ndër to veçohen dënimi i vitit 1975 bashkë me Adem Demaçin dhe 17 atdhetarë të tjerë, si dhe dënimi i vitit 1982 me Basri Musmuratin e 15 veprimtarë të tjerë.
Në përgatitjen e këtij libri një kontribut të veçantë dhanë edhe Ferat Shala, i cili shkroi kapitullin mbi periudhën e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ofroi fotografi arkivore, si dhe Ramë Buja me kujtimet e tij të shkruara posaçërisht për këtë botim.
Në përmbyllje të ceremonisë, autori Selatin Novosella dhe Familja Ramadani dhuruan librin si dhuratë për të gjithë mysafirët e pranishëm, ndërsa pjesëmarrësit vazhduan rrugën drejt Gjilanit për të bërë homazhe pranë varrit të Ilmi Ramadanit në Varrezat e Dëshmorëve.

