Edhe sot do të jetë në fuqi kufizimi i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë, për shkak të temperaturave të larta.
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se kufizimi në autoudhët e Kosovës do të zbatohet nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë 32°C ose më shumë.
Sipas njoftimit, kufizimi vlen vetëm për autoudhët, ndërsa në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi i automjeteve të transportit të mallrave lejohet pa kufizime.
Kush përjashtohet nga kufizimi?
Nga masa përjashtohen automjetet e:
- organeve të rendit dhe sigurisë publike;
- shërbimeve emergjente;
- institucioneve shëndetësore.
Ministria u ka bërë thirrje operatorëve të transportit dhe drejtuesve të automjeteve që të respektojnë masën dhe të planifikojnë udhëtimet në përputhje me orarin e përcaktuar.
“Lusim operatorët dhe ngasësit që të respektojnë kufizimin dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e përcaktuar”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
Masa synon të kufizojë qarkullimin e mjeteve të rënda gjatë orëve me temperaturat më të larta, duke marrë parasysh ndikimin e vapës në kushtet e rrugëve dhe sigurinë e komunikacionit.

