Inspektorati i Mjedisit ka ndaluar punimet në shtatë gurthyes, ndërsa tre operatorë të tjerë janë gjobitur me gjithsej 7 mijë euro për shkelje të evidentuara gjatë inspektimeve.
Lajmin e ka bërë të ditur deputetja Fitore Pacolli, e cila tha se masat janë ndërmarrë pas kontrolleve të zhvilluara në Gjilan, Han të Elezit, Shtime, Suharekë, Mitrovicë, Viti, Lipjan dhe Prishtinë.
Sipas Pacollit, procesi i verifikimit të gurthyesve ka nisur në muajin mars, kur operatorëve u është dhënë një afat prej 15 ditësh për të dëshmuar përputhshmërinë e veprimtarisë së tyre me kërkesat ligjore dhe kriteret mjedisore.
Rreth 200 operatorë kanë dorëzuar dokumentacionin përkatës, i cili është shqyrtuar në muajin prill nga një komision i jashtëm i angazhuar nga Ministria.
Sipas saj, një pjesë e konsiderueshme e operatorëve nuk i kanë përmbushur kriteret e përcaktuara me ligj.
Pacolli ka bërë të ditur gjithashtu se vetëm gjatë muajit gusht, punimet u janë ndaluar 16 gurthyesve.
“Inspektorati i Mjedisit është çdo ditë në terren dhe kontrollet do të vazhdojnë. Ndaj çdo operatori që vepron në kundërshtim me ligjin, ndot mjedisin apo nuk përmbush standardet e përcaktuara, do të ndërmerren masat ndëshkuese”, ka deklaruar Pacolli.
Ajo ka theksuar se mbrojtja e mjedisit, tokës, ujit dhe ajrit mbetet prioritet dhe se operatorët që shkelin rregullat do të përballen me masa ndëshkuese.
“Nuk do të lejojmë që përfitimi i askujt të vihet mbi shkatërrimin e mjedisit të Kosovës”, ka shkruar Pacolli.

