Në Ditën Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur me Dhunë, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, së bashku me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, kanë vendosur lule te Monumenti i Personave të Zhdukur në Prishtinë, në nderim të personave që u zhdukën me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Haxhiu ka thënë se mbi 1,500 persona ende nuk janë gjetur, duke theksuar se për familjet e tyre pritja vazhdon dhe se çështja e personave të zhdukur mbetet një plagë e hapur për Kosovën.
“Për familjet, pritja vazhdon. Për Republikën e Kosovës, kjo mbetet një plagë dhe një kapitull i hapur, që nuk mund të mbyllet derisa të zbardhet fati edhe i personit të fundit”, ka deklaruar Haxhiu.
Sipas saj, kërkimet për personat e zhdukur kanë vazhduar gjatë gjithë kohës. Vetëm gjatë vitit të fundit, në 17 lokacione janë gjetur mbetje mortore të 30 personave, ndërsa gjatë muajit të fundit, në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, janë gjetur mbetje mortore të së paku 23 personave.
Haxhiu ka falënderuar institucionet e Kosovës për punën e tyre në këtë proces, duke veçuar Policinë e Kosovës, Prokurorinë, Institutin e Mjekësisë Ligjore dhe Komisionin Qeveritar për Personat e Zhdukur.
Ajo ka theksuar se rezultatet e gërmimeve dëshmojnë se puna për zbardhjen e fatit të të zhdukurve po vazhdon, por ka kritikuar mungesën e bashkëpunimit nga Serbia.
“Edhe një herë i bëj thirrje Serbisë që t’i hapë arkivat. Hapja e tyre është jetike për të zbardhur të vërtetën, kush i dha urdhrat, kush i zbatoi ato dhe ku ndodhen trupat e personave të vrarë dhe të zhdukur me dhunë”, ka thënë ajo.
Haxhiu u ka bërë thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që të rrisin presionin ndaj Serbisë për hapjen e arkivave dhe bashkëpunimin në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
“Ne do të vazhdojmë punën me përkushtim maksimal, derisa të gjendet edhe personi i fundit”, ka përfunduar Haxhiu.

