Pas sulmeve amerikane ndaj objektivave iraniane në ishullin Larak, Teherani thotë se ka sulmuar me raketa dhe dronë bazat ku janë të dislokuara forcat amerikane në Jordani dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Garda Revolucionare e Iranit ka njoftuar se gjatë natës ka kryer sulme ndaj dy bazave amerikane në Jordani, në atë që Teherani e cilëson si përgjigje ndaj sulmeve të SHBA-së në ishullin iranian Larak.
Sipas deklaratës së Gardës Revolucionare, operacioni u krye me raketa dhe dronë dhe kishte në shënjestër bazat Al Azraq dhe King Hussein. Autoritetet iraniane pretendojnë se sulmet shkaktuan “dëme serioze”.
Teherani e ka lidhur drejtpërdrejt këtë operacion me sulmin amerikan të së dielës ndaj pozicioneve iraniane në ishullin Larak, pranë Ngushticës së Hormuzit.
Irani pretendon sulm edhe në Emirate
Ushtria iraniane ka deklaruar gjithashtu se ka sulmuar një bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku janë të stacionuara forca amerikane.
Sipas televizionit shtetëror iranian, Garda Revolucionare përdori dhjetëra dronë sulmues për të goditur zonën e bazës Al Minhad, ku raportohet se janë të dislokuar trupa dhe helikopterë amerikanë.
Pretendimet iraniane për dëmet e shkaktuara dhe pasojat e sulmeve nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
SHBA goditi pozicionet iraniane në Larak
Sulmet iraniane vijnë një ditë pasi forcat amerikane goditën objektiva në ishullin Larak.
Sipas një zyrtari amerikan, forcat e SHBA-së shkatërruan dy sisteme iraniane për lëshimin e raketave, të cilat dyshohet se po përgatiteshin për të përdorur raketa dhe mina kundër trafikut detar në Ngushticën e Hormuzit.
Ky ishte sulmi i parë i drejtpërdrejtë i SHBA-së ndaj Iranit pas më shumë se një muaji.
Banorë të zonës raportuan se dëgjuan një shpërthim pranë ishullit Larak, ndërsa agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars raportoi për incidentin.
Hormuzi, në qendër të përplasjes
Ishulli Larak ndodhet pranë Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më strategjike të transportit detar në botë.
Përshkallëzimi i fundit rrit shqetësimet për sigurinë e këtij korridori, përmes të cilit kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë globale të energjisë.
Me sulmet amerikane ndaj pozicioneve iraniane dhe kundërpërgjigjen e pretenduar të Teheranit ndaj bazave amerikane në Jordani dhe Emirate, tensionet mes dy vendeve po shtrihen përtej territorit iranian dhe po prekin gjithnjë e më shumë praninë ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme.

