Deputetë të PDK-së dhe Aleancës kanë vazhduar edhe sot aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, ndërsa kësaj radhe atyre u janë bashkuar edhe asamblistë, drejtorë dhe aktivistë të PDK-së nga Skënderaj dhe Istogu.
Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe të Aleancës kanë bllokuar sërish hyrjen e objektit të Qeverisë së Kosovës.
Aksioni ka nisur në orët e mëngjesit, kur deputetët janë vendosur para ndërtesës së Qeverisë, në vazhdën e protestave të tyre kundër situatës aktuale institucionale.
Kësaj radhe, aksionit u janë bashkuar edhe asambleistë, drejtorë dhe aktivistë të PDK-së nga komunat e Skënderajt dhe Istogut.
PDK-ja prej disa javësh po zhvillon aksione të ngjashme para objektit të Qeverisë, ndërsa në ditë të ndryshme kësaj nisme i janë bashkuar edhe deputetë të Aleancës dhe struktura lokale të partisë nga komuna të ndryshme.
Opozita kërkon funksionalizimin e institucioneve dhe vazhdimin e procesit të konstituimit të Kuvendit. PDK-ja dhe Aleanca kanë kërkuar vazhdimisht që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në zhbllokimin e procesit institucional.
Aksionet para Qeverisë pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa përplasjet politike rreth konstituimit të institucioneve të Kosovës mbeten të pandërprera.

