Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë kanë organizuar një punëtori konsultative për themelimin e Institutit Kombëtar Kërkimor për Energjinë, i cili parashihet të funksionojë në Parkun për Inovacion dhe Trajnim (ITP) në Prizren.
Në punëtori morën pjesë përfaqësues të institucioneve qeveritare, shoqërisë civile, sektorit privat, profesorë universitarë, ekspertë të fushës dhe partnerë ndërkombëtarë.
Koncepti për themelimin e institutit është përgatitur me mbështetjen teknike të qeverisë gjermane, përmes Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar – GIZ.
Në fjalën hyrëse, kryeministri Albin Kurti theksoi rëndësinë e forcimit të kapaciteteve vendore në fushën e kërkimit shkencor, hulumtimit, inovacionit dhe hartimit të politikave të bazuara në të dhëna dhe njohuri profesionale.
Kurti tha se tranzicioni energjetik nuk duhet të shihet vetëm përmes investimeve në termocentrale, panele solare, turbina me erë apo linja të transmetimit, por edhe përmes krijimit të njohurive që u paraprijnë këtyre investimeve.
“Kur diskutojmë për tranzicionin energjetik, zakonisht mendojmë për termocentrale, panele solare, turbina ere dhe linja transmisioni. Megjithatë, asnjëra nga to nuk mund të ndërtohet pa njohurinë që i paraprinë. Para se të ndërtohen kapacitete të reja, dikush duhet të bëjë matje, të bëjë llogari dhe të mendojë thellë”, tha Kurti.
Sipas tij, njohuria shkencore nuk krijohet vetvetiu, por duhet të krijohet, mirëmbahet dhe ruhet në mënyrë institucionale.
Kryeministri theksoi gjithashtu se kërkimi dhe zhvillimi duhet të kuptohen si procese afatgjata dhe sistematike, që synojnë zgjerimin e fondit të njohurive.
Kurti tha se Instituti Kombëtar Kërkimor për Energjinë duhet të shërbejë si një institucion që ruan dhe zhvillon njohurinë në fushën e energjisë, duke krijuar një lloj “kujtesë institucionale” për vendin.
“Qëllimi i institutit për energji duhet të jetë krijimi i një hapësire ku ruhet njohuria, një institucion me kujtesë, jo një projekt që fillon dhe mbaron me një grant apo ndonjë raport që mbetet në sirtar pas prezantimit”, u shpreh ai.
Instituti i propozuar synon të krijojë një bazë më të qëndrueshme për kërkimin dhe zhvillimin në sektorin energjetik, si dhe të kontribuojë në hartimin e politikave dhe vendimmarrjen institucionale në këtë fushë.
Parashihet që instituti të vendoset në Parkun për Inovacion dhe Trajnim në Prizren, duke krijuar një pikë të përbashkët bashkëpunimi ndërmjet institucioneve publike, universiteteve, ekspertëve, sektorit privat dhe partnerëve ndërkombëtarë.

