Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe njëherësh kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëveshja e arritur me Lidhjen Demokratike të Kosovës për propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat për president të Kosovës është ende valide.
Megjithatë, Kurti ka bërë të ditur se pas zhvillimeve të së martës, kur gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan se nuk do ta mbështesin kandidaturën e Sejdiut, nevojitet një takim i ri me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, si dhe me Kryesinë e Vetëvendosjes.
Kurti ka thënë se në Grupin Parlamentar të Vetëvendosjes mbështetja për Bekim Sejdiun ishte e plotë.
“Natyrisht kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënës qëndrimi i Kryesisë së LDK-së për mbështetje të plotë për profesor Bekim Sejdiun si emër për president, për të cilin u pajtuam dy subjektet. Por, më pas patëm njoftimin negativ që gjashtë deputetë nga 18 sa i ka LDK-ja nuk e mbështesin profesor Bekim Sejdiun për president të Republikës së Kosovës. Është situatë e re që kërkon që, në njërën anë, të takohemi përsëri me kryetarin e LDK-së, por edhe me Kryesinë e Vetëvendosjes”, tha Kurti.
Kurti kritikon gjashtë deputetët e LDK-së
Kreu i VV-së e ka cilësuar si të papërgjegjshme, absurde dhe të dëmshme sjelljen e deputetëve të LDK-së, Hykmete Bajrami, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Kujtim Shala, Janina Ymeri dhe Armend Zemaj, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun.
“Pas tri palë zgjedhjeve duket se po ka dëshirë, vullnet e interes të shkojmë edhe në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet”, tha Kurti.
Ai ka theksuar se marrëveshja politike mes VV-së dhe LDK-së është arritur pas shumë përpjekjesh, duke falënderuar ekipin negociator të LDK-së.
“Për mua si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe si kryeministër në detyrë i Kosovës, por edhe udhëheqës i ekipit negociator me LDK-në, marrëveshja politike e arritur është e vlefshme. Ajo qëndron. Është marrëveshje e arritur me shumë mund, e drejtë, e mirë, e vërtetë dhe e dobishme. Por, çfarë të bëjmë që kishim këtë veprim negativ të gjashtë deputetëve”, tha Kurti.
Sipas tij, në rrethanat e reja, Bekim Sejdiu aktualisht i ka 74 vota, ndërsa për Vetëvendosjen ai vazhdon të jetë kandidati për president.
Kurti: Konstituimi i Kuvendit i takon Avni Deharit
Sa i përket thirrjes së seancës për konstituimin e Kuvendit, Kurti ka thënë se kjo përgjegjësi i takon deputetit më të vjetër, Avni Deharit.
Sipas Kurtit, Dehari ka deklaruar se do ta thërrasë seancën për konstituim, por vetëm në një situatë kur të mos ketë përpjekje për tensionim të mëtejshëm të situatës dhe kur të mos rrezikohet stabiliteti institucional.
“Ata që po nxitohen për konstituim të Kuvendit, në kohën kur nuk mbështesin zgjedhjen e presidentit, po duan përsëri zgjedhje që janë thellësisht të panevojshme, në njërën anë, por në anën tjetër mbase duan edhe përsëritje të incidenteve”, tha Kurti.
Kurti për AAK-në: Besoj se duhet të takohemi
I pyetur nëse do të takohet me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, e cila ka shtatë deputetë, Kurti ka thënë se beson se një takim duhet të zhvillohet.
Megjithatë, ai ka kritikuar vendosjen e kushteve nga ana e AAK-së, e cila ka paraqitur gjashtë kërkesa për ta mbështetur zgjedhjen e presidentit, ndër to edhe pranimin e gazit amerikan.
“Besoj se nuk ka qytetar të Kosovës që nuk e ka kuptuar në këtë mbrëmje që ka disa njerëz që me aq lehtësi një marrëveshjeje të arritur me aq shumë mund i thonë jo e nuk e qajnë kokën që kjo shpie në zgjedhje të reja. Pavarësisht kësaj moskokëçarjeje, jemi shumë të përgjegjshëm të insistojmë në validitetin e marrëveshjes politike për kandidaturën e profesor Bekim Sejdiut për president”, tha Kurti.
Nagavci: Refuzimi i propozimit nuk është në interes të qytetarëve
Ndërkohë, shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka reaguar ndaj vendimit të gjashtë deputetëve të LDK-së për të mos e mbështetur Bekim Sejdiun.
“T’i thuhet jo një propozimi të përbashkët, që ka për qëllim zhbllokimin e institucioneve, nuk është një vendim i duhur dhe nuk është në interes të qytetarëve. I dini qëndrimet e PDK-së dhe të Aleancës. Megjithatë, unë pres që çdo deputet të jetë në nivelin e përgjegjësive që ka”, tha Nagavci.
Të hënën ishte bërë e ditur marrëveshja politike mes LDK-së dhe VV-së për propozimin e Bekim Sejdiut si kandidat për president të Kosovës.
Një ditë më pas, gjashtë deputetë të LDK-së deklaruan publikisht se nuk do ta votojnë Sejdiun.
Pas zgjedhjeve të 7 qershorit, eksponentë të Vetëvendosjes kanë deklaruar se i kanë 62 vota për konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë. Me 12 votat e LDK-së, ky numër do të arrinte në 74 deputetë.
Megjithatë, ky numër nuk mjafton për zgjedhjen e presidentit.
Për zgjedhjen e presidentit në dy raundet e para nevojiten së paku 80 vota. Në raundin e tretë, presidenti mund të zgjidhet me 61 vota, nëse në dy raundet paraprake në votim kanë marrë pjesë së paku 80 deputetë.

