Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se gjatë këtij viti është shënuar rritje e numrit të bizneseve dhe punëtorëve të deklaruar, si dhe e të hyrave tatimore në Kosovë.
Kurti ka bërë të ditur se, krahasuar me vitin e kaluar, në Kosovë janë rreth 5,700 biznese më shumë dhe mbi 17 mijë punëtorë më shumë të deklaruar.
Sipas tij, të hyrat tatimore janë rritur për rreth 14 për qind, ndërsa aktivitetet operative janë rritur me 35 për qind.
“Rreth 5 mijë e 700 biznese më shumë dhe mbi 17 mijë punëtorë më shumë të deklaruar, krahasuar me vitin e kaluar. Sikurse edhe rritje e të hyrave tatimore për rreth 14% dhe e aktiviteteve operative për 35%”, ka shkruar Kurti.
Ai i ka cilësuar këto të dhëna si tregues të rritjes së aktivitetit ekonomik, shtimit të vendeve të punës dhe zgjerimit të bazës për zhvillimin e vendit.
Kurti: Rezultatet nuk janë rastësi
Sipas Kurtit, rezultatet e arritura nga Administrata Tatimore e Kosovës nuk janë të rastësishme.
Ai ka vlerësuar punën e stafit dhe menaxhmentit të ATK-së, por ka theksuar edhe rëndësinë e ndryshimeve dhe reformave ligjore të ndërmarra nga Ministria e Financave.
Sipas tij, këto reforma kanë krijuar bazën për një administratë tatimore më moderne, më efikase dhe më të drejtë.
Digjitalizimi dhe fiskalizimi
Kurti ka përmendur edhe procesin e digjitalizimit, duke e cilësuar atë si një drejtim ku institucionet duhet të vazhdojnë të investojnë.
Ai ka bërë të ditur se nëntë kompani softuerike janë certifikuar në procesin e fiskalizimit, duke thënë se kjo krijon më shumë konkurrencë dhe mundësi për shërbime më të mira dhe më të përballueshme për bizneset.
Po ashtu, Kurti ka përmendur punësimin e inspektorëve dhe mbledhësve të rinj të borxheve, duke e cilësuar këtë si forcim të kapaciteteve të nevojshme të ATK-së për të ardhmen.
“Një ekonomi e shëndoshë ka nevojë për një Administratë Tatimore të fortë. Dhe një Administratë Tatimore e fortë ndërtohet me njerëz profesionalë, teknologji moderne dhe besim të ndërsjellë me qytetarët dhe bizneset”, ka deklaruar Kurti.

