Ka përfunduar takimi mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Takimi është zhvilluar në kuadër të përpjekjeve për tejkalimin e ngërçit rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Pas takimit, Abdixhiku ka dhënë një deklaratë të shkurtër për media, duke thënë se situata politike po vështirësohet për shkak të mungesës së numrave të nevojshëm.
“Fatkeqësisht, me aq sa po shoh, po krijohet një situatë e pamundësisë numerike për të dalë nga kjo gjendje”, ka deklaruar Abdixhiku.
Në anën tjetër, Albin Kurti nuk është deklaruar për media pas takimit.
Takimi i sotëm vjen një ditë pasi Abdixhiku bëri të ditur se gjashtë deputetë të LDK-së nuk e mbështesin kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes LVV-së dhe LDK-së.
Sipas deklarimeve të bëra më herët, LVV-ja ka 53 deputetë, ndërsa LDK-ja 18. Me kundërshtimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, numri maksimal i votave që mund të sigurojë kandidatura e Sejdiut nga këto dy parti bie në 74, ndërkohë që për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten 80 vota.
Kjo situatë e ka komplikuar marrëveshjen politike të arritur mes Kurtit dhe Abdixhikut për kandidaturën e Sejdiut dhe e ka rikthyer në qendër të vëmendjes mundësinë e vazhdimit të ngërçit institucional.
Takimi i sotëm ishte pjesë e përpjekjeve të reja për gjetjen e një zgjidhjeje pas kundërshtimit të gjashtë deputetëve të LDK-së.

