E enjtja në Kosovë pritet të karakterizohet me mot kryesisht të kthjellët dhe me diell. Temperaturat do të shënojnë një ulje të lehtë, si pasojë e erërave që do të fryjnë nga verilindja, megjithatë moti do të mbetet ende i nxehtë, sidomos gjatë orëve të mesditës.
Në mënyrë të rrallë, në ndonjë rajon në pjesën jugore të vendit, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, mund të paraqitet ndonjë rrebesh i izoluar shiu, i shoqëruar me ndonjë bubullimë.
Temperaturat minimale pritet të zbresin deri në 15°C, ndërsa maksimalet gjatë ditës do të arrijnë deri në 31°C.
Në përgjithësi, dita do të sjellë mot të qëndrueshëm, me shumë diell dhe temperatura ende të larta, por pak më të freskëta krahasuar me ditët paraprake.

