Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, takimin e zhvilluar me Albin Kurtin dhe kritikat për mënyrën se si është interpretuar bashkëpunimi mes dy partive.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se procesi aktual për zgjedhjen e presidentit është zhvilluar në kuadër të një marrëveshjeje politike dhe se takimi i tij me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, ishte planifikuar paraprakisht.
Duke folur në emisionin “Adresa” në Kanal 10, Abdixhiku tha se takimi ishte pjesë e hapave të dakorduar mes palëve për procesin e kandidatit konsensual.
“Ne në takimin e sotëm me Kurtin ishim dakorduar paraprakisht që gjatë gjithë procesit të kandidatit konsensual ta bëjmë marrëveshjen. Të takohemi me partitë dhe të kthehemi në takim. Njoftuam njëri-tjetrin për përfundimet, siç e do rregulli”, deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se takimi nuk duhet të interpretohet përtej qëllimit të tij, duke kritikuar raportimet që, sipas tij, e kanë paraqitur bashkëpunimin mes dy liderëve në mënyrë të njëanshme.
“Është takim i planifikuar më herët, si hap normal drejt përmbylljes së këtij procesi të nisur me kohë. Ndonëse çdo takim përcillet me shumë analiza e spekulime, po më vjen keq edhe për ofendimet”, tha ai.
Abdixhiku: Para meje presidenti merrej vesh përmes zarfeve
Abdixhiku foli edhe për mënyrën se si, sipas tij, është zhvilluar në të kaluarën procesi i zgjedhjes së presidentit.
Ai pretendoi se në raste të mëparshme emri i presidentit ishte bërë i ditur paraprakisht përmes komunikimeve të mbyllura politike, ndërsa deputetët nuk ishin ata që e merrnin vesh të parët.
“Para meje e kanë kuptuar kush është presidenti prej zarfeve. Jo deputetët, udhëheqësit në zarf e kanë marrë vesh. S’ka qenë atëherë LDK-ja në pozitë. S’ka ardhur rendi as me propozuar, e ne kemi propozuar emër”, deklaroi Abdixhiku.
“Kur je në marrëveshje, kështu bëhen gjërat”
Kreu i LDK-së iu referua edhe mënyrës se si është raportuar takimi i tij me Kurtin, duke kundërshtuar përshkrimin se ai kishte shkuar për t’i “raportuar” kryetarit të LVV-së.
“Sot pashë se si ishte raportuar që kryetari i LDK-së shkoi t’i raportonte atij të VV-së. Kur je në marrëveshje, kështu bëhen gjërat në botën e civilizuar”, u shpreh Abdixhiku.
Sipas tij, komunikimi dhe takimet mes dy subjekteve politike janë pjesë e marrëveshjes së arritur dhe të procesit për gjetjen e një kandidati konsensual për president.
Deklaratat e Abdixhikut vijnë në një kohë kur procesi për zgjedhjen e presidentit mbetet i pasigurt, pas kundërshtimit të kandidaturës së Bekim Sejdiut nga gjashtë deputetë të LDK-së.

