Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Prokuroria: Sheholli vepronte me urdhra të BIA-s, dyshohet se kishte plan për ndërhyrje në zgjedhje

Qendra Info by Qendra Info
07/09/2026
in Lajme
0
Prokuroria: Sheholli vepronte me urdhra të BIA-s, dyshohet se kishte plan për ndërhyrje në zgjedhje
0
SHARES
5
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Prokuroria Speciale ka lexuar aktakuzën ndaj Fatmir Shehollit, i cili akuzohet për veprat penale “Spiunazhi” dhe “Shantazhi”.

Sipas prokurorit Bekim Kodraliu, Sheholli dyshohet se ka ndihmuar veprimtarinë e Shërbimit Informativ të Serbisë (BIA), duke mbledhur dhe përcjellë informacione lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës.

Prokuroria: Sheholli vepronte sipas urdhrave të një zyrtari të BIA-s

Prokurori Bekim Kodraliu tha se, sipas aktakuzës, Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, dyshohet se ka vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga një zyrtar i lartë i BIA-s.

“I pandehuri Fatmir Sheholli, nga një datë e papërcaktuar e deri më datë 09.10.2025, në territorin e Republikës së Kosovës, në vazhdimësi dhe me dashje direkte, në cilësinë e personit të rekrutuar nga Shërbimi Informativ i Serbisë – i njohur si ‘BIA’ – e ka ndihmuar veprimtarinë e këtij shërbimi, duke vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të caktuara nga zyrtari i lartë i saj, Bojan Dimiq, drejtor i Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar, ashtu që i pandehuri Sheholli ka mbledhur, siguruar dhe, përmes komunikimeve dhe mesazheve telefonike, ka përcjellë tek ky zyrtar të dhëna, informacione dhe dokumente lidhur me aktivitetet politike, gjendjen e sigurisë dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Prokuroria pretendon se kishte plan për ndërhyrje në zgjedhje

Sipas Prokurorisë, në kuadër të këtyre aktiviteteve, Sheholli dyshohet se ka zbatuar edhe një plan operativ, i cili, sipas aktakuzës, synonte dëmtimin e interesave të Republikës së Kosovës dhe ndërhyrjen në procesin zgjedhor të 12 tetorit 2025.

Sipas aktakuzës, më 26 shtator 2025, rreth orës 14:00, Sheholli, i shoqëruar nga një anëtar i familjes së tij dhe duke përdorur një automjet të markës “Audi”, kishte udhëtuar drejt Mitrovicës së Veriut.

Prokuroria pretendon se në parkingun e Shkollës Teknike, në afërsi të kafiterisë “Sindikata”, ai kishte pranuar nga një person i paidentifikuar materiale audio dhe transkripte të bisedave të disa zyrtarëve të lartë të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të cilat, sipas aktakuzës, ishin të destinuara për komprometimin e tyre.

Në të njëjtin rast, sipas Prokurorisë, Sheholli kishte pranuar edhe 5 mijë euro si shpërblim për kryerjen e kësaj detyre.

Prokuroria pretendon se më pas, në zbatim të udhëzimeve të zyrtarit të BIA-s, materialet ia kishte dorëzuar gazetarit Milaim Zeka, së bashku me shumën prej 1 mijë eurosh, duke e udhëzuar edhe për mënyrën dhe kohën e publikimit të tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.

Sipas aktakuzës, publikimi ishte planifikuar vetëm disa ditë para ditës së votimit për zgjedhjet lokale.

Prokuroria pretendon se këto veprime kanë dëmtuar interesat shtetërore, kanë diskredituar institucione dhe zyrtarë të tyre, kanë kontribuar në thellimin e përçarjeve shoqërore dhe kanë mundësuar ndërhyrjen e një shërbimi të huaj informativ në procesin zgjedhor në Kosovë.

Sheholli akuzohet edhe për shantazh ndaj një biznesmeni

Në aktakuzë, Sheholli akuzohet edhe për veprën penale të shantazhit ndaj Arben Jetullahut, pronar i një biznesi në Kosovë.

Sipas prokurorit Kodraliu, Sheholli dyshohet se nga viti 2022 deri në dhjetor 2025 ka kërkuar para nga Jetullahu, duke e kërcënuar me publikimin e video-incizimeve dhe informacioneve që, sipas aktakuzës, do t’ia dëmtonin rëndë nderin, reputacionin dhe autoritetin.

Prokuroria pretendon se Sheholli kishte kërkuar para në emër të huazimit, ndërsa në rast të mosdhënies së tyre kishte kërcënuar se do të publikonte video-incizime dhe informacione komprometuese.

Sipas aktakuzës, shuma e përfituar në mënyrë të kundërligjshme tejkalon 13 mijë euro.

Prokurori tha se gjatë zbatimit të masave të veçanta hetimore, të urdhëruara nga gjykata kompetente, janë siguruar komunikime dhe porosi kërcënuese të Shehollit drejtuar të dëmtuarit.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, edhe gjatë kohës sa Sheholli ndodhej në paraburgim, përmes një familjari të tij, Jetullahut i janë dërguar porosi kërcënuese dhe i është kërkuar pagesë mujore prej 700 eurosh.

Në aktakuzë thuhet se, nga frika e realizimit të kërcënimeve, i dëmtuari, përmes një punëtori të tij, ia kishte dorëzuar familjarit të Shehollit shumën prej 5 mijë eurosh.

Sheholli deklarohet i pafajshëm

Fatmir Sheholli është deklaruar i pafajshëm për akuzat që rëndojnë ndaj tij.

“E ndjej veten të pafajshëm”, tha Sheholli para gjykatës.

Ndërkohë, avokati i tij, Mentor Neziri, tha se pas konsultimeve me klientin e tij në Burgun e Sigurisë së Lartë, mbrojtja ka vendosur të heqë dorë në këtë fazë nga e drejta për të kërkuar hedhjen e aktakuzës.

“Para 4-5 ditësh kam qenë në Burgun e Sigurisë së Lartë dhe kam vizituar, kemi biseduar edhe sa i përket kundërshtimit të aktakuzës dhe, duke ia shpjeguar se ne kemi të drejtë që të paraqitemi për hedhjen e aktakuzës, i njëjti është pajtuar me mua që në këtë fazë të heqim dorë nga paraqitja për hedhjen e aktakuzës”, tha Neziri.

Sipas tij, duke marrë parasysh kohën e qëndrimit të Shehollit në paraburgim dhe numrin e madh të provave që duhet të administrohen, mbrojtja ka kërkuar që procesi të vazhdojë menjëherë me gjykim.

“Gjykatës i propozojmë të aprovojë dhe të fillojmë menjëherë me gjykim gjyqësor”, tha avokati.

Në dosje përfshihen dhjetëra prova

Rasti ndaj Shehollit lidhet me pretendimet e Prokurorisë për lidhje të tij me shërbimin inteligjent serb, BIA.

Sipas aktakuzës së datës 24 gusht 2026, në dosjen e rastit përfshihen dhjetëra prova materiale dhe personale.

Në mesin e tyre janë përgjime telefonike, komunikime të nxjerra nga telefoni i Shehollit, video-incizime, pamje nga kamerat e sigurisë, dokumente të sekuestruara, dëshmi të dëshmitarëve dhe raport financiar.

Prokuroria pretendon se Sheholli, nga një datë e papërcaktuar deri më 9 tetor 2025, në cilësinë e personit të rekrutuar nga BIA, kishte vepruar sipas urdhrave dhe detyrave të Bojan Dimiqit, të cilin aktakuza e identifikon si drejtor të Drejtorisë Kundër Terrorizmit dhe Krimit të Organizuar Ndërkombëtar në BIA.

Dokumenti “Top Secret2” dhe pretendimet për financimin e xhamive

Në aktakuzë përmendet edhe një dokument me shënimin “Top Secret2”, fotografia e të cilit, sipas Prokurorisë, është gjetur në telefonin e Shehollit.

Në dokument pretendohet se fonde të mbledhura nga “ambasadat islamike” në Beograd do të investoheshin në ndërtimin e xhamive në Kosovë.

Sipas përmbajtjes së dokumentit të përmendur në aktakuzë, qëllimi i këtij veprimi do të ishte shtrirja e ndikimit të islamit, përçarja e shqiptarëve, nxitja e emigrimit dhe ndryshimi i perceptimit të Perëndimit për Kosovën.

Prokuroria pretendon se, përmes këtyre veprimeve, do të krijoheshin rrethana që do t’i shërbenin synimit të Serbisë për rikthimin e Kosovës nën juridiksionin e saj.

Çfarë parasheh Kodi Penal për veprat për të cilat akuzohet?

Sa i përket dënimit të mundshëm, ai varet nga veprat për të cilat Sheholli eventualisht mund të shpallet fajtor, si dhe nga mënyra se si gjykata do t’i vlerësojë provat dhe rrethanat e rastit.

Për veprën penale të spiunazhit, neni 124, paragrafi 3 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës përcakton se personi që hyn në shërbimin informativ të huaj, mbledh të dhëna për të apo në ndonjë mënyrë tjetër ndihmon punën e një shërbimi të tillë, dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim.

Ndërsa për veprën penale të shantazhit, në rrethanat e përcaktuara në paragrafin 2 të dispozitës përkatëse, Kodi Penal parasheh gjobë dhe burgim prej një deri në dhjetë vjet.

Pretendimet e përfshira në aktakuzë janë akuza të Prokurorisë dhe mbeten për t’u provuar gjatë procesit gjyqësor. Sheholli konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me një vendim të formës së prerë.

Related

Previous Post

Aleanca vendos fotografitë e deputetëve të VV-së para Kuvendit: “Lutemi për lirinë e tyre”

Next Post

Kica-Xhelili: Askush nuk është më i madh se LDK-ja, dhe LDK-ja nuk është më e madhe se Republika

Next Post
Kica-Xhelili pas Kuvendit të LDK-së: Ta ruajmë partinë dhe njëri-tjetrin.

Kica-Xhelili: Askush nuk është më i madh se LDK-ja, dhe LDK-ja nuk është më e madhe se Republika

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.