Ambasadori i Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, tha se rreth 200 kompani në Ballkanin Perëndimor kanë kapacitete për të prodhuar municione sipas standardeve të NATO-s. Ai theksoi nevojën që vendet e rajonit të kalojnë nga “përfitues të sigurisë” në “kontribues të sigurisë”.
Rreth 200 kompani të Ballkanit Perëndimor mund të prodhojnë municione sipas standardeve të NATO-s, deklaroi ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, në Konferencën e Sigurisë në Sarajevë.
Sipas tij, Bashkimi Evropian synon që partnerët e Ballkanit Perëndimor të kenë një rol më aktiv në sigurinë e rajonit dhe më gjerë.
“Ne duam që partnerët e Ballkanit Perëndimor të kalojnë nga përfitues të sigurisë në kontribues të sigurisë, si për rajonin ashtu edhe më gjerë”, tha Soreca.
98 milionë euro nga Instrumenti Evropian i Paqes
Soreca tha se për këtë qëllim, Instrumenti Evropian i Paqes ka ndarë gjithsej 98 milionë euro për Ballkanin Perëndimor.
Sipas tij, rreth një e treta e kësaj shume, ose 35 milionë euro, i është ndarë vetëm Bosnje e Hercegovinës.
Në mesin e vendeve me kapacitetet më të mëdha për prodhimin e municioneve, ambasadori veçoi Bosnje e Hercegovinën dhe Serbinë.
Katër shtete të Ballkanit Perëndimor, ndër to edhe Shqipëria, kontribuojnë gjithashtu me trupa ose ekspertë në misionet dhe operacionet e Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes të Bashkimit Evropian.
Zgjerimi i BE-së, element i rëndësishëm për sigurinë
Sipas Sorecës, një rol të rëndësishëm në forcimin e sigurisë së rajonit luan edhe procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Ai përmendi përparimin e Malit të Zi dhe Shqipërisë në procesin e negociatave për anëtarësim.
“Viti 2026 pritet të jetë një vit rekord për përparimin në këtë drejtim. Shohim se Mali i Zi ka mbyllur më shumë se gjysmën e kapitujve të negociatave dhe shtetet anëtare të BE-së kanë nisur përgatitjen e Traktatit të Anëtarësimit të tij”, u shpreh Soreca.
Për Shqipërinë, ai tha se vendi ka nisur zyrtarisht procesin e mbylljes së kapitujve dhe potencialisht mund t’i përfundojë negociatat deri në fund të vitit 2027.
“Integrimi gradual”, kyç për sigurinë
Ambasadori i BE-së mbështeti gjithashtu idenë e integrimit gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në strukturat dhe mekanizmat evropianë, duke e cilësuar atë si një element kyç për sigurinë dhe mbrojtjen.
Sipas tij, përfshirja më e madhe e vendeve të rajonit në mekanizmat evropianë të sigurisë dhe mbrojtjes mund të kontribuojë në forcimin e stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe në rritjen e rolit të tij si kontribues në sigurinë evropiane.

