Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar me tone kritike ndaj zhvillimeve të fundit politike, duke thënë se pas asaj që ai e cilëson si përballje për parime dhe Kosovën, qëndron një betejë për postin e kryetarit të LDK-së.
Në një postim në rrjetet sociale, Abdixhiku ka shprehur zhgënjimin e tij për zhvillimet brenda partisë, duke thënë se shteti nuk duhet të vihet në funksion të ambicieve personale.
“S’rrotullohet shteti për një ambicie.”
Abdixhiku ka thënë se fillimisht kishte menduar se përplasjet e fundit kishin të bënin me parime dhe interesin e Kosovës, por sipas tij, qëllimi është një tjetër.
“Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar ai.
“LDK njihet ndryshe”
Kreu i LDK-së ka theksuar se partia që ai drejton, sipas tij, është njohur historikisht për një qasje tjetër ndaj shtetit.
“LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete.”
Në fund të reagimit, Abdixhiku ka përdorur një mesazh të drejtpërdrejtë ndaj kundërshtarëve të tij politikë.
“Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!”, ka përfunduar Abdixhiku.

