E premtja në Kosovë pritet të sjellë mot shumë të nxehtë veror, por me një tendencë për destabilizim gradual të atmosferës.
Gjatë ditës pritet të mbajë mot me diell, ndërsa gradualisht do të ketë shtim lokal të vranësirave. Pasditen ose gjatë orëve të vona të mbrëmjes, në disa zona mund të zhvillohen rrebeshe lokale shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullimë.
Megjithatë, reshjet nuk pritet të përfshijnë të gjitha viset e vendit, pasi zhvillimet do të jenë kryesisht lokale dhe të izoluara.
Temperaturat do të mbeten shumë të larta. Minimalet pritet të zbresin deri në 16°C, ndërsa maksimalet gjatë ditës do të arrijnë deri në 32°C.
Në përgjithësi, e premtja do të jetë e nxehtë dhe kryesisht me diell, me rritje të mundësisë për rrebeshe dhe bubullima në pjesën e dytë të ditës.

