Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje ka mbajtur të dielën mbrëma një mbledhje të jashtëzakonshme, ku është diskutuar situata institucionale pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit.
Në një njoftim të publikuar pas mbledhjes, LVV-ja ka bërë të ditur se ka vendosur që në seancën e radhës t’i votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë të Kuvendit, Vlora Çitakun dhe Kujtim Shalën.
“Megjithëkëtë, kryesia e LVV mori vendim që nesër të votojmë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së, Vlora Çitaku dhe Kujtim Shala”, thuhet në njoftimin e partisë.
LVV-ja ka deklaruar se pret që ky veprim të reflektojë edhe në qëndrimin e PDK-së dhe LDK-së gjatë procesit të zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
“Presim që pas konstituimit të kuvendit ky hap i vullnetit të mirë të reflektojë në konstruktivitet të tyre duke votuar për president, qoftë ajo edhe votë kundër”, thuhet në deklaratë.
Sipas LVV-së, vendimi është marrë në një moment që partia e konsideron vendimtar për stabilitetin institucional dhe për shmangien e zgjedhjeve të reja.
“U konstatua që ndodhemi në momentet vendimtare për t’i dhënë vendit stabilitet institucional pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe për të parandaluar edhe një palë zgjedhje të reja”, thuhet në njoftim.
LVV përmend procesin e vitit 2025
Në deklaratën e saj, LVV-ja ka rikujtuar edhe procesin e konstituimit të Kuvendit pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025.
Sipas partisë, atëherë LVV-ja, së bashku me partnerët e koalicionit parazgjedhor dhe deputetët e komuniteteve, kishte 57 deputetë dhe, pas zbatimit të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese, kishte ndryshuar katër herë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit.
LVV-ja thotë se në fund Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit më 26 gusht, rreth pesë muaj pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“E pra, ne kemi vendosur t’i votojmë Vlora Çitakun e Kujtim Shalën, edhe nëse nuk i ndërrojnë emrat e kandidatëve qysh bëmë ne”, thuhet në deklaratë.
Partia ka bërë të ditur se deputetët e saj do ta votojnë Çitakun sapo PDK-ja ta ripropozojë kandidaturën e saj në seancën e radhës.
LVV pret pjesëmarrjen e Shalës në votimin për president
Në fund të deklaratës, LVV-ja ka shprehur pritjen që deputeti i LDK-së, Kujtim Shala, të marrë pjesë në seancën ku pritet të votohet kandidatura e Bekim Sejdiut për president, sipas marrëveshjes së përmendur nga LVV-ja.
“Gjithashtu, shpresojmë që edhe deputeti Kujtim Shala, nënkryetar i ardhshëm i kuvendit, të marrë pjesë në seancën kur do të votohet për Bekim Sejdiun president sipas marrëveshjes LVV-LDK”, thuhet në njoftim.
Seanca konstituive e Kuvendit është caktuar të vazhdojë nesër në orën 10:00, me zgjedhjen e nënkryetarëve në rend dite.

