Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se procesi i konstituimit të Kuvendit ka hyrë në një fazë që, sipas saj, kërkon qartësi përfundimtare kushtetuese, duke paralajmëruar dërgimin e rastit në Gjykatën Kushtetuese.
Në një njoftim të publikuar të dielën, PDK-ja ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për shkelje të afateve kushtetuese dhe për bllokim të përsëritur të procesit të konstituimit.
PDK-ja rikujton se, sipas interpretimit të saj të Kushtetutës dhe Aktgjykimit KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi është dashur të konstituohet brenda afatit 30-ditor, përkatësisht më së largu deri më 7 gusht. Sipas PDK-së, LVV-ja më pas kishte përcaktuar 6 shtatorin si afat të ri, por as ky afat nuk ishte respektuar.
Megjithatë, PDK-ja thotë se kishte vendosur të merrte pjesë në seancat e Kuvendit edhe pas këtyre afateve, me qëllim që procesi të përfundonte para 16 shtatorit, datë që lidhet me vendimin e pritshëm në Hagë.
Sipas PDK-së, deputetët e saj morën pjesë në seancat e 9 dhe 11 shtatorit, por procesi nuk u përmbyll për shkak të mospajtimeve rreth zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit.
“PDK e mbajti fjalën dhe votoi kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për nënkryetar të Kuvendit. Në anën tjetër, LVV e theu premtimin e dhënë publikisht dhe refuzoi ta votonte kandidaten e PDK-së për nënkryetare”, thuhet në deklaratën e PDK-së.
Partia ka reaguar edhe ndaj deklaratës së LVV-së se tashmë është e gatshme të votojë kandidatët e PDK-së dhe LDK-së për nënkryetarë, duke e lidhur këtë me qëndrimin e deputetëve opozitarë për zgjedhjen e presidentit.
“Për Partinë Demokratike të Kosovës, Kushtetuta nuk është pazar politik. Konstituimi i Kuvendit është detyrim kushtetues dhe nuk mund të kushtëzohet me votimin e opozitës për Presidentin apo me marrëveshje të tjera politike”, thuhet në njoftim.
PDK-ja ka bërë të ditur se nuk do të vazhdojë të marrë pjesë në seancat konstituive, duke argumentuar se ndryshimi i vazhdueshëm i kushteve nuk garanton përfundimin e procesit.
Partia ka njoftuar gjithashtu se ekspertët e saj janë duke përgatitur rastin që do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese për procesin e konstituimit në tërësi.
“Deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës mbetet i qartë: PDK nuk do të marrë pjesë në seancat e Kuvendit”, thuhet në deklaratë.
PDK-ja e ka përmbyllur reagimin me kërkesën që çështja të zgjidhet përmes institucioneve kushtetuese, duke theksuar se nuk do të pranojë, siç shprehet ajo, “afate të shkelura, kushte të reja dhe pazare politike”.

