Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka hapur seancën e jashtëzakonshme për formimin e Qeverisë së re, duke i dhënë fjalën kandidatit për kryeministër, Albin Kurti, për të prezantuar përbërjen dhe programin e kabinetit të ardhshëm qeveritar.
Kurti ka propozuar kabinetin e ri qeveritar, i cili përbëhet nga të njëjtët emra dhe dikastere si kabineti i mandatit të kaluar.
Kurti nis fjalimin me procesin në Hagë
Në fjalën e tij para deputetëve, Kurti fillimisht është ndalur te procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai tha se asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë luftën e UÇK-së.
“Këto ditë, të gjithë jemi në ankth në prag të vendimit të procesit gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së. Kërkesa e Prokurorisë është e padrejtë dhe e pabesueshme, sepse është në shpërputhje me të vërtetën historike të popullit dhe drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës është i njëjtë dhe i qartë. Në Kosovë janë kryer krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid kundër popullatës civile shqiptare. Ato i ka kryer regjimi jugosllav i Serbisë, nën Millosheviqin. Asnjë gjykatë vendore apo ndërkombëtare nuk mund ta njollosë UÇK-në”, tha Kurti.
Premtimet e Kurtit për mandatin e ri
Më pas, Kurti ka prezantuar programin e Qeverisë së re, duke thënë se synimi është zhvillimi ekonomik, rritja e mirëqenies dhe zvogëlimi i dallimeve sociale e ekonomike.
Ai e ka cilësuar kabinetin e propozuar si “Qeveri të shumicës dhe jo të pakicës”.
Kurti tha se numri i të punësuarve në vend është rritur nga rreth 350 mijë në 450 mijë, me theks të veçantë te punësimi i grave dhe të rinjve.
Ai premtoi që paga mesatare të rritet në mbi 1,000 euro në muaj, ndërsa paralajmëroi edhe dyfishimin e shtesave për fëmijët.
Sipas tij, do të vazhdojnë edhe masat mbështetëse për nënat lehona dhe kategoritë e tjera sociale.
Kurti premtoi gjithashtu krijimin e një Banke Zhvillimore, e cila do të mbështesë prodhimin, industrinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në kuadër të programit ekonomik, ai paralajmëroi edhe heqjen e taksës doganore prej 10 për qind për veturat e importuara nga Evropa.
Ai tha se do të inicohet edhe valuta digjitale në Kosovë, ndërsa do të krijohet një Fond i Inovacionit për mbështetjen e të rinjve dhe personave që merren me teknologji dhe inovacion.
Në fushën e turizmit, Kurti përmendi investimet në Brezovicë, përfshirë rrugët, pistat dhe teleferikët, si dhe projekte të ngjashme në Pejë dhe zona të tjera turistike.
Ai paralajmëroi gjithashtu iniciativën për pagën e 13-të në sektorin publik dhe privat, me synimin që në të ardhmen të shqyrtohet edhe paga e 14-të.
Ky është kabineti i propozuar nga Albin Kurti
Kabineti i propozuar nga Kurti përbëhet nga këta emra dhe dikastere:
- Glauk Konjufca – Zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme dhe Diasporës
- Donika Gërvalla – Zëvendëskryeministre e dytë dhe ministre e Drejtësisë
- Fikrim Damka – Zëvendëskryeministër i tretë
- Hekuran Murati – Ministër i Financave
- Andin Hoti – Ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare
- Ejup Maqedonci – Ministër i Mbrojtjes
- Xhelal Sveçla – Ministër i Punëve të Brendshme
- Lulzon Jakxhiu – Ministër i Digjitalizimit dhe Administratës Publike
- Arben Vitia – Ministër i Shëndetësisë
- Hajrulla Çeku – Ministër i Arsimit dhe Shkencës
- Saranda Bogujevci – Ministre e Kulturës dhe Turizmit
- Elbert Krasniqi – Ministër i Administrimit të Pushtetit Lokal
- Blerim Gashani – Ministër i Sportit dhe Rinisë
- Fitore Pacolli – Ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor
- Armend Muja – Ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural
- Mimoza Kusari-Lila – Ministre e Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit
- Dimal Basha – Ministër i Infrastrukturës dhe Transportit
- Artane Rizvanolli – Ministre e Ekonomisë
- Nenad Rashiq – Ministër për Komunitete dhe Kthim
- Rasim Demiri – Ministër për Zhvillim Rajonal

