Kryeministri Albin Kurti ka mbajtur fjalimin e tij në mbledhjen e parë të Qeverisë së re, një ditë pasi Kuvendi i Kosovës votoi Qeverinë Kurti 4.
Kurti tha se 14 shtatori është zyrtarisht dita e parë e punës së qeverisë së re të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026, ndonëse, sipas tij, bëhet fjalë për vazhdim të punës dhe mandatit të ndërprerë.
Ai falënderoi qytetarët për besimin dhe deputetët e Kuvendit për votimin e Qeverisë së re.
“Përpara kemi shumë punë e projekte, sfida dhe probleme, dhe natyrisht që vetëm bashkërisht do t’ia dalim mbanë! Qeverisja jonë e përbashkët është punë për qytetarin dhe mbrojtje për shtetin. Qeveria jonë është shërbim për publikun, jo privilegj për pakicën”, tha Kurti.
Kurti: Të zgjidhet Presidenti, të mos shkojmë sërish në zgjedhje
Duke folur për zhvillimet politike pas zgjedhjeve, Kurti kritikoi bllokadat institucionale dhe zgjedhjet e përsëritura.
Ai tha se pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, vendi kishte kaluar nëpër dy procese të tjera zgjedhore, përkatësisht më 28 dhjetor 2025 dhe 7 qershor 2026.
Sipas tij, zgjedhjet e përsëritura kanë ardhur si pasojë e bllokadave politike, fillimisht për formimin e Kuvendit dhe Qeverisë dhe më pas për çështjen e Presidentit.
Kurti tha se aktualisht Kuvendi është i konstituuar dhe Qeveria është zgjedhur, ndërsa sfida e radhës mbetet zgjedhja e Presidentit.
Ai përmendi marrëveshjen politike mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për President dhe kritikoi deputetët e LDK-së që, sipas tij, nuk duan ta zbatojnë këtë marrëveshje.
“Jemi kaq afër zgjidhjes së Presidentit, saqë do të ishte e pafalshme të shkojmë sërish në zgjedhje për të ardhur përsëri në të njëjtën pikë”, tha Kurti.
Në cilësinë e kryeministrit dhe kryetarit të Vetëvendosjes, Kurti u bëri thirrje liderëve politikë dhe deputetëve që ta zgjidhin çështjen e Presidentit.
“Le ta zgjidhim çështjen e Presidentit, t’i japim vendit tonë institucione në përputhje me vullnetin qytetar dhe le të ecim përpara së bashku, ashtu siç i takon Republikës sonë e siç presin qytetarët tanë”, deklaroi ai.
Kurti tha se një tjetër proces zgjedhor do të ishte, sipas tij, i panevojshëm dhe nuk do të sillte ndryshime të mëdha në skenën politike.
“Jam i bindur që edhe një proces i panevojshëm zgjedhor, jo vetëm që nuk do të sillte diçka të re sa i përket mozaikut politik në vend, por përfundimisht do të ishte papërgjegjësi ndaj interesit publik dhe pamaturi e madhe politike”, u shpreh ai.
Ai e mori si shembull konstituimin e Kuvendit, duke thënë se kompromisi politik është i mundur.
“Dëshmi vetë konstituimi i Kuvendit. Ne dje pranuam plotësisht kandidaturat për nënkryetarë të Kuvendit nga PDK dhe LDK, përkundër vërejtjeve që kishim, dhe sot jemi me Qeveri të re përveçse Kuvend të konstituuar”, tha Kurti.
Sipas tij, një diskutim politik “i hapur dhe i sinqertë” mund t’i hapë rrugë edhe zgjedhjes së Presidentit të ri.
Kurti për verdiktin në Hagë: UÇK-ja ka bërë luftë të drejtë dhe çlirimtare
Në fjalimin e tij, Kurti iu referua edhe vendimit të pritshëm të Dhomave të Specializuara në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe Kadri Veseli.
Ai tha se Kosova pret vendimin e Gjykatës Speciale dhe shprehu bindjen e tij se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë dhe çlirimtare.
“Për ne është gjithçka e qartë, populli i Kosovës, rezistenca dhe lufta jonë ka qenë e drejtë, çlirimtare dhe kundrejt një pushtuesi, i cili kreu krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid”, tha Kurti.
Ai tha se beson dhe uron që verdikti të jetë në përputhje me këtë qëndrim dhe që ish-drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në Kosovë dhe pranë familjeve të tyre.
“Besojmë e urojmë që edhe verdikti i së mërkurës të jetë në përputhje me këtë të drejtë dhe drejtuesit e UÇK-së të kthehen të lirë në vendin e tyre e pranë familjeve”, përfundoi Kurti.

