Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas tërheqjes së profesorit Bekim Sejdiu nga kandidatura për President të Kosovës, duke shprehur keqardhje për vendimin e tij. Sipas VV-së, Sejdiu ishte kandidati i përbashkët i dalë nga marrëveshja politike ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Në reagimin e publikuar të mërkurën, Vetëvendosje ka deklaruar se kandidatura e Sejdiut ishte rezultat i marrëveshjes së arritur pas bisedimeve politike ndërmjet dy partive, me qëllim që të gjendej një zgjidhje për zgjedhjen e Presidentit dhe të shmangej një periudhë tjetër e pasigurisë institucionale.
Sipas VV-së, partia i ka qëndruar marrëveshjes dhe kandidatit të përbashkët deri në fund.
“Bekim Sejdiu ishte kandidat i përbashkët, i dalë nga marrëveshja ndërmjet Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës”, thuhet në reagim.
Vetëvendosje ka akuzuar një pjesë të deputetëve të LDK-së se dolën kundër kandidaturës së miratuar edhe nga vetë partia e tyre, ndërsa ka përmendur edhe qëndrimin e PDK-së dhe Aleancës për të mos marrë pjesë në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
Sipas VV-së, këto rrethana e pamundësuan zgjedhjen e Presidentit në Kuvend dhe çuan më pas edhe në tërheqjen e Sejdiut nga gara.
VV: Dialogu dhe kompromisi u arritën
Vetëvendosje ka thënë se për muaj me radhë ishte kërkuar dialog, kompromis dhe marrëveshje për zgjidhjen e situatës politike.
“Dialogu u zhvillua, kompromisi u bë, marrëveshja u arrit dhe kandidati i përbashkët u gjet. Kur erdhi koha që marrëveshja të merrte votën e Kuvendit, nisi pengimi dhe goditja e saj”, thuhet në reagimin e partisë.
Sipas VV-së, Kuvendi është institucioni ku dallimet politike duhet të shprehen përmes votës.
“Mund të votosh për, mund të votosh kundër. Por kur mospjesëmarrja përdoret për ta pamundësuar votimin, atëherë nuk kemi më dallim politik rreth një kandidati, por pengim të vetë procesit kushtetues dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të përsëritura”, thuhet në reagim.
Falënderim për Bekim Sejdiun
Në fund, Vetëvendosje ka falënderuar profesorin Bekim Sejdiu për gatishmërinë e tij për t’i shërbyer Republikës së Kosovës dhe për, siç është shprehur partia, dinjitetin e treguar gjatë procesit.
“Kosova e pati marrëveshjen dhe kandidatin e përbashkët. E pati mundësinë që çështja e Presidentit të zgjidhej në Kuvend. Por u bllokua, sërish”, përfundon reagimi i Vetëvendosjes.
