Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e Shtetit ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe administratës së tij. LVV thotë se kallëzimi bazohet në gjetjet e një raporti të Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) për Komunën e Prishtinës.
Asamblisti i LVV-së, Feim Osmani, deklaroi se raporti i ZKA-së, që sipas tij mbulon periudhën 2023–2025, ka evidentuar më shumë se 26 gjetje, një pjesë e të cilave, sipas tij, janë përsëritje të vërejtjeve të raporteve të mëparshme.
“Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një mori shkeljesh, specifikisht më shumë se 26 shkelje të raportuara. Një pjesë e madhe, afërsisht gjysma e tyre, janë gjetje të përsëritura”, tha Osmani.
Sipas tij, 14 nga gjetjet janë evidentuar për herë të parë, ndërsa LVV ka përzgjedhur gjashtë raste për të cilat pretendon se mund të ketë elemente të veprave penale.
Gjashtë rastet që LVV i konsideron më serioze
Osmani tha se në kallëzimin penal janë përfshirë, ndër të tjera, pretendime që lidhen me tjetërsimin e pronave, pagesa për punë që sipas auditimit nuk janë realizuar, menaxhimin e kontratave dhe dhënien në shfrytëzim të hapësirave publike pa vendim të Kuvendit Komunal.
Ai përmendi edhe çështjen e tenderit për sheshin “Xhorxh Bush”, duke pretenduar se në llogaritjen e tenderit ka pasur gabime prej më shumë se 7 për qind dhe se vlera e kontratës është mbi 1.2 milionë euro.
Një tjetër çështje e përmendur nga Osmani lidhet me dhënien në shfrytëzim të hapësirës publike pa aprovim të Kuvendit Komunal dhe shumën prej 5.12 milionë eurosh, të cilën ai tha se Komuna e Prishtinës ia ka dhënë UNDP-së.
Pretendime për pagesa për punë të pakryera
Osmani përmendi edhe raste ku, sipas tij, auditori nuk ka gjetur në terren punë për të cilat ishin kryer pagesa.
Ai tha se në disa raste Komuna ka argumentuar se punët janë dëmtuar, ndërsa në raste të tjera ato nuk janë përfunduar.
Sipas Osmanit, verifikimi i gjendjes reale në terren tashmë i takon organeve të hetimit.
“Është detyrë e prokurorisë dhe e hetuesisë të dalë e ta verifikojë gjendjen reale në terren”, deklaroi ai.
Ai ngriti pretendime edhe për mënyrën e menaxhimit të disa kontratave, duke thënë se në raste të caktuara personat e caktuar fillimisht si menaxherë të kontratave më pas janë zëvendësuar nga persona të tjerë nga stafi i inxhinierëve të komunës.
LVV: Raporti është publik
Osmani tha se kallëzimi penal nuk bazohet në prova të reja të siguruara nga asamblistët, por në raportin e publikuar të ZKA-së.
“Faktet e reja s’ka nevojë të ketë sepse dokumenti është i njëjti. Ai ka dalë nga Zyra e Auditorit Kombëtar dhe nuk ndryshon”, tha ai.
Sipas tij, LVV e ka dorëzuar raportin e plotë në Prokurori, ndërsa në kallëzimin penal ka specifikuar rastet për të cilat pretendon se mund të jenë konsumuar vepra penale.
Dida-Bujari: Kërkuam debat në Kuvendin Komunal
Asamblistja e LVV-së, Jeta Dida-Bujari, tha se para dorëzimit të kallëzimit penal, grupi i tyre kishte tentuar që çështjen ta trajtonte përmes mekanizmave të Kuvendit Komunal.
Sipas saj, që nga publikimi i raportit të ZKA-së, LVV kishte kërkuar debat për gjetjet dhe përgjegjësinë lidhur me administrimin e parasë dhe pronës publike.
Dida-Bujari pretendoi se iniciativa për ta futur raportin në rend dite nuk mori mbështetjen e shumicës politike në Kuvendin Komunal.
“Partitë në pozitë, PDK dhe LDK, nuk e arsyetuan këtë dhe nuk e votuan, apo ata votuan kundër nesh që kjo çështje të jetë pjesë e rendit të ditës”, deklaroi ajo.
Sipas saj, pasi kjo rrugë nuk funksionoi, LVV vendosi që çështjen ta dërgojë në institucionet e drejtësisë.
LVV kërkon hetim nga Prokuroria
Dida-Bujari tha se tashmë përgjegjësia për vlerësimin e gjetjeve dhe përcaktimin nëse ka elemente të veprave penale i takon institucioneve të drejtësisë.
“Asnjë shumicë nuk mund të mbyllë pyetjet lidhur me miliona euro të qytetarëve. Sot po i dorëzojmë këto fakte para institucioneve të drejtësisë. Asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje e përmbushën detyrën e tyre dhe tani i takon prokurorisë ta thotë fjalën e fundit”, tha ajo.
Osmani shtoi se LVV pret që organet e drejtësisë të zhvillojnë hetimet dhe të marrin vendimet përkatëse.
Ai përmendi edhe një kallëzim të mëhershëm penal lidhur me çështjen e legalizimeve në Prishtinë, duke thënë se LVV pret zhvillimin e procedurave edhe në atë rast.
Çfarë ndodh tani?
Me dorëzimin e kallëzimit penal, vlerësimi nëse pretendimet e ngritura nga asamblistët e LVV-së përbëjnë vepra penale u takon organeve të drejtësisë.
Kallëzimi penal dhe gjetjet e auditimit nuk nënkuptojnë vetvetiu se kryetari Përparim Rama apo zyrtarë të tjerë kanë kryer vepra penale. Këto janë pretendime që duhet të verifikohen përmes procedurave përkatëse ligjore.
LVV ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë punën e Komunës së Prishtinës, veçanërisht vendimet dhe mënyrën e shpenzimit të parasë publike.

