Qytetarë të shumtë vazhdojnë të qëndrojnë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pranë Teatrit Kombëtar, në pritje të vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
Grumbullimi ka nisur që mbrëmjen e së martës, ndërsa qytetarët janë mbledhur për ta pritur së bashku momentin e shpalljes së aktgjykimit. Në shesh janë vendosur edhe ekrane për ndjekjen e drejtpërdrejtë të seancës nga Haga, ndërsa atmosfera është shoqëruar me këngë dhe aktivitete të organizuara nga qytetarët.
Iniciativa “Liria ka emër” u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë së bashku në shesh deri në mëngjes, në pritje të vendimit. Në një postim të publikuar së fundmi, iniciativa ka shkruar: “Çohu Kosovë! Edhe më pak se 4 orë deri në vendim. Do të jemi këtu – deri në LIRI!”
Sipas raportimeve nga vendi, qytetarët ende po qëndrojnë në shesh, ndërsa numri i tyre ka vijuar të rritet gjatë natës dhe orëve të mëngjesit.
Vendimi ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet sot, më 16 shtator, në orën 10:00. Bëhet fjalë për vendimin e shkallës së parë në rastin ku Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave.
Pritja në Prishtinë vjen pas një procesi të gjatë gjyqësor në Hagë, i cili ka tërhequr vëmendje të madhe në Kosovë dhe më gjerë. Qytetarët në shesh pritet ta ndjekin drejtpërdrejt shpalljen e vendimit.

