Magazina QendraQendra
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulture
  • Ekonomia
  • Opinione
Home Lajme

Hamza: “Ditë e zezë për Kosovën, vendimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është kundër popullit të Kosovës”

Qendra Info by Qendra Info
16/09/2026
in Lajme
0
Hamza: “Ditë e zezë për Kosovën, vendimi ndaj Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit është kundër popullit të Kosovës”
0
SHARES
6
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, e ka cilësuar aktgjykimin e sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si të padrejtë dhe si një goditje të rëndë për luftën e UÇK-së, lirinë, pavarësinë dhe shtetin e Kosovës.

Në një konferencë për media, Hamza tha se sot është një ditë e rëndë për Kosovën dhe se PDK-ja qëndron pranë ish-krerëve të UÇK-së dhe familjeve të tyre.

“Sot është një ditë e rëndë për Kosovën. Një ditë e zezë. Por, është edhe një ditë e turpit për drejtësinë ndërkombëtare. Aktgjykimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka sjellë dhimbje dhe zhgënjim të thellë tek të gjithë ne. Një dhimbje e zhgënjim që nuk e kemi pritur”, tha Hamza.

Ai paralajmëroi se PDK-ja do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore lidhur me këtë proces.

“Partia Demokratike e Kosovës do të jetë në përkrahje të luftës së drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Do të jetë në përkrahje të plotë të udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe do t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme demokratike dhe ligjore që kanë të bëjnë me këtë proces”, tha kryetari i PDK-së.

Hamza: Vendimi është kundër popullit dhe shtetit të Kosovës

Hamza tha se me aktgjykimin e sotëm, sipas tij, është fyer sakrifica e popullit të Kosovës që luftoi për liri, mbijetesë dhe çlirim nga regjimi serb.

“Vendimi i shqiptuar sot nuk është bërë në emër të popullit të Kosovës. Vendimi i shqiptuar sot është bërë kundër popullit të Kosovës, kundër shtetit të Kosovës. Ne e kemi përcjellë këtë proces me besimin se në fund drejtësia do të mbështetet vetëm në fakte, në prova dhe në përgjegjësi individuale. Por, sot nuk pamë drejtësi”, deklaroi ai.

Kryetari i PDK-së shprehu kundërshtimin e tij ndaj asaj që e konsideron mbështetje të vendimit në materiale dhe pretendime të fabrikuara.

“Ai vendim mbështetet edhe në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Hamza.

Ai përmendi edhe raste që, sipas tij, ishin trajtuar më herët nga UNMIK-u, EULEX-i dhe Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë.

Hamza: Fjala e fundit juridike ende nuk është thënë

Hamza tha se beteja juridike nuk ka përfunduar dhe se vendimi mund të kundërshtohet në procedurat e apelimit.

“Procesi juridik nuk ka përfunduar dhe fjala e fundit e drejtësisë ende nuk është thënë”, tha ai.

Sipas Hamzës, në procesin e apelimit duhet të shqyrtohen në mënyrë të detajuar çështjet që lidhen me qëllimin e përbashkët, përgjegjësinë individuale, autoritetin dhe kontrollin real, vlerësimin e dëshmive, si dhe çështjet faktike dhe juridike që mund të kenë ndikuar në aktgjykim.

“Për secilin prej të akuzuarve duhet të provohet, jo vetëm pozita që ka mbajtur, sepse pozita në një strukturë nuk mund ta zëvendësojë provën e përgjegjësisë individuale”, deklaroi Hamza.

Kritika për dëshmitë dhe standardin e provës

Hamza tha se edhe çështja e dëshmitarëve duhet të shqyrtohet me kujdes në procedurat e mëtejshme.

“Vetë Paneli ka folur për probleme serioze me dëshmitë e disa prej tyre. Prandaj duhet parë me rigorozitet sesi janë vlerësuar deklaratat e ndryshme, si janë trajtuar kundërthëniet dhe mbi cilat dëshmi janë mbështetur konkluzionet vendimtare për fajësinë”, tha ai.

Në fund, Hamza iu referua standardit të provës në procedurën penale.

“Në fund, të gjitha këto çështje kthehen te një standard i vetëm: përtej dyshimit të arsyeshëm. Në të drejtën penale nuk mjafton që një version i ngjarjeve të jetë i mundshëm, apo edhe më bindës se një tjetër. Kur një njeri dënohet me 13, 18 apo 25 vjet burg, fajësia e tij individuale duhet të jetë provuar përtej dyshimit të arsyeshëm”, përfundoi Hamza.

Related

Previous Post

PDK pas aktgjykimit në Hagë: “Vendimi i padrejtë dhe i papranueshëm, beteja për drejtësi vazhdon”

Next Post

Kurti pas dënimeve në Hagë: “Aktgjykimi është padrejtësi e papranueshme, duhet korrigjuar në apel”

Next Post
Kurti pas dënimeve në Hagë: “Aktgjykimi është padrejtësi e papranueshme, duhet korrigjuar në apel”

Kurti pas dënimeve në Hagë: “Aktgjykimi është padrejtësi e papranueshme, duhet korrigjuar në apel”

Please login to join discussion
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.

×
No Result
View All Result

Recent Searches

Lajme
Shendet
Sport
Kulture
Ekonomi
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Lajme
  • Sport
  • Lifestyle
  • Shendeti
  • Fejton
  • Kulturë
  • Ekonomia
  • Opinione

© 2026 JNews - Premium WordPress news & magazine theme by Jegtheme.