Kryesia dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë mbajtur sot një mbledhje, ku kanë diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Pas përfundimit të mbledhjes, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, tha se në parti ekziston një qëndrim i përbashkët se vendimi është i padrejtë dhe, sipas tij, i pabazuar në fakte.
“PDK sot ka diskutuar situatën pas vendimit të djeshëm të Gjykatës në Hagë. Është një konstatim i përgjithshëm se vendimi është i padrejtë, është i paqëndrueshëm, i pabazuar në fakte. Është një vendim i cili e dëmton historinë, të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës. Një vendim i një gjykate e cila e ka devijuar komplet drejtimin e saj në raport me atë se çka është votuar në Kuvend”, deklaroi Hamza.
Ai tha se PDK-ja do të ndërmarrë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të komunikuar me subjektet e tjera politike, duke e cilësuar situatën si të ndjeshme dhe serioze.
“PDK do t’i bëjë të gjitha përpjekjet e nevojshme që të jemi në komunikim për shkak të ndjeshmërisë së situatës, seriozitetit, situatës ku ndodhet vendi, sepse kjo situatë i jep një mundësi që në të ardhmen, shteti agresor që ka qenë në Kosovë, Serbia, ta përdorë për dëmtimin e Kosovës”, tha Hamza.
Kreu i PDK-së shtoi se pret të zhvillojë takime me liderët e të gjitha subjekteve politike.
Sipas tij, çështja nuk duhet të trajtohet më vetëm si një çështje që i përket një partie politike, por kërkon komunikim dhe koordinim më të gjerë politik.
“Besoj se do të takohem me liderët e të gjitha subjekteve politike, sepse kjo nuk është më një çështje që i takon vetëm një partie politike”, përfundoi Hamza.

