Albulena Haxhiu, ka reaguar lidhur me debatet dhe deklaratat publike pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së.
Haxhiu ka thënë se mbrojtja e ish-drejtuesve të UÇK-së është “detyrë qytetare dhe institucionale”, por ka kundërshtuar etiketimin e kundërshtarëve politikë si “spiunë” apo “tradhtarë”.
“Askush nuk i mbron ata duke shpallur aty për aty ‘spiunë’ e ‘tradhtarë’ kundërshtarët politikë, duke shënjestruar dëshmitarë apo duke kërkuar fajtorë mes qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka thënë se përdorimi i këtyre emërtimeve në protesta, emisione televizive dhe postime publike, sipas saj, riprodhon logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së.
Haxhiu ka theksuar se përgjegjësia për dëshmi apo veprime të caktuara është individuale dhe se nuk duhet të fajësohet një popull i tërë.
“Populli nuk dëshmon. Dëshmojnë individë, secili me emër dhe me përgjegjësi vetjake”, ka shkruar ajo, duke e cilësuar si të pavërtetë, fyese dhe të rrezikshme përpjekjen për ta paraqitur një popull të tërë si burim “spiunimi”.
Sipas saj, një qasje e tillë mund të nxisë frikë, linçim dhe përçarje shoqërore.
Në të njëjtën kohë, Haxhiu ka bërë thirrje që kushdo që ka të dhëna për persona që kanë dëmtuar ose dëmtojnë interesin kombëtar dhe shtetëror, t’i paraqesë ato në organet e sigurisë dhe drejtësisë.
“Sepse këto raste duhet të adresohen në plotni”, ka shkruar ajo.
Haxhiu ka përfunduar duke bërë thirrje për maturi në reagimet publike dhe duke thënë se vlerat e luftës së UÇK-së, sipas saj, nuk mbrohen me shpifje e kërcënime, por me “të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin”.

