Ambasadori amerikan Richard Grenell ka kritikuar ashpër Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pas aktgjykimit ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, duke e cilësuar vendimin si të ndikuar politikisht.
Në një intervistë për “Top Story” të Top Channel, Grenell tha se Kosova nuk ka nevojë që një gjykatë në Holandë të marrë vendime për të ardhmen e saj.
“Kosova dhe gjykatat e Kosovës duhet të vendosin për të ardhmen e Kosovës dhe për çështjet që janë të rëndësishme. Nuk kemi nevojë për një gjykatë në Holandë që të marrë vendime për Kosovën”, tha Grenell.
Duke folur për aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ai tha se kur shikon një vendim të tillë, krijohet përshtypja se ai është i ndikuar politikisht.
“Mendoj se SHBA-ja do të bëjë atë që është në interesin më të mirë të SHBA-së dhe Kosova duhet të bëjë të njëjtën gjë, të veprojë në interesin e saj, të veprojë në emër të Kosovës dhe jo të lejojë që një gjykatë ndërkombëtare të vendosë për të, por ta përballojë vetë këtë situatë”, deklaroi ai.
Grenell theksoi se nuk mendon se SHBA-ja, presidenti Donald Trump apo çështje të tjera të jashtme duhet të përcaktojnë hapat e Kosovës.
“Problemi është që të mos përdoren gjykata që marrin vendime të ndikuara politikisht”, tha ai.
Sipas Grenellit, vendimin për hapat e ardhshëm duhet ta marrin institucionet e Kosovës.
“Duhet ta vendosë kryeministri dhe Parlamenti se cili do të jetë hapi. Mendoj se gjykatat e Kosovës duhet t’i vendosin vetë këto çështje”, u shpreh Grenell.
Një ditë më parë, pas shpalljes së aktgjykimit, Grenell kishte kërkuar gjithashtu mbylljen e Dhomave të Specializuara, duke i cilësuar ato si “gjykata radikale” dhe duke kërkuar ndërprerjen e financimit të tyre.

