Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka thirrur protestë gjithëpopullore për sot në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, në kundërshtim me vendimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Të enjten, në një konferencë për media, nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gazmend Syla, ka deklaruar se protesta do të jetë paqësore dhe se nuk do të ketë vend për dhunë apo persona me maska.
“Ju e dini, nuk është vendim i padrejtë vetëm ky i djeshmi. Me bashkëluftëtarët tanë, ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë mbushur burgjet në kohën e UNMIK-ut me ish-udhëheqësit e UÇK-së”, ka thënë Syla.
Ai ka theksuar se protesta e sotme do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe pa maska.
“Protesta jonë që organizohet nesër është paqësore, jo e dhunshme, pa maska, me fytyrat tona. Kemi çka me tregu boll. Fytyrat i kemi të ndershme, s’kemi nevojë fare të vendosim maska në protestë”, ka deklaruar Syla.
Syla i referohet protestës së së mërkurës
Deklarata e Sylës ka ardhur pas protestës së organizuar deri në orët e vona të së mërkurës, menjëherë pas shpalljes së vendimit dënues ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.
Gjatë asaj proteste pati edhe persona të maskuar, ndërsa u raportua për dëmtim të xhamave të ndërtesës së Qeverisë me mjete të forta.
Duke folur për vendimin e së mërkurës ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së, Syla ka deklaruar se, sipas tij, me këtë vendim është dënuar lufta për çlirim dhe është tentuar të krijohet një balancë me krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.
Protesta e thirrur nga OVL-UÇK pritet të mbahet sot në sheshin “Skënderbeu”, duke nisur nga ora 12:00.

