Edhe sonte, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, pritet të mblidhen sërish qytetarë në ditën e pestë të protestave kundër aktgjykimit të Gjykatës Speciale.
Protesta do të nisë në orën 21:00 dhe ka për qëllim kundërshtimin e aktgjykimit të shkallës së parë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
“Shihemi n’21:00 n’shesh”, ka njoftuar platforma “Liria ka Emër”.
Protesta të ngjashme kundër vendimit të Gjykatës Speciale janë mbajtur dje edhe në diasporë, përfshirë në Gjermani, Zvicër dhe Austri.
Katër ish-drejtuesit u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim
Më 16 shtator, Trupi Gjykues i shpalli fajtorë të katër të akuzuarit dhe i dënoi me gjithsej 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
Në dënimet e shqiptuara është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim.

