Irani nuk do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit derisa të përmbushen kushtet e tij dhe të zbatohen angazhimet e Shteteve të Bashkuara, deklaroi të hënën kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, sipas agjencisë gjysmëzyrtare të lajmeve Fars.
Ghalibaf tha se Irani duhet të jetë i gatshëm njëkohësisht për luftë dhe për negociata. Sipas tij, Teherani do të përdorë forcën ushtarake për të zmbrapsur kundërshtarët e tij, ndërsa diplomacinë për të konsoliduar rezultatet e arritura në fushëbetejë, kur të jetë koha e përshtatshme.
Një ditë më parë, Teherani tha se përmes ndërmjetësve u ka përcjellë palëve kushtet për rifillimin e negociatave që synojnë t’i japin fund luftës me Shtetet e Bashkuara.
Ndër kushtet e paraqitura nga Irani janë përfundimi i luftës në të gjitha frontet, lirimi i aseteve iraniane dhe heqja e bllokadës detare. Kërkesat përfshijnë gjithashtu heqjen e sanksioneve ndaj naftës dhe përfundimin e kërcënimeve dhe operacioneve ushtarake, sipas deklarimeve të mëparshme të zyrtarëve iranianë.
Trump: “Kam një vendim të madh përpara meje”
Ndërkohë, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se mund të urdhërojë sërish sulme të mëdha ndaj Iranit.
Në një intervistë për Axios, Trump deklaroi:
“Kam një vendim të madh përpara meje. A dua të hyj dhe t’i asgjësoj ata [regjimin iranian] apo jo? Është një vendim i madh. Çdo gjë mund të ndodhë me mua.”
Deklarata e Trumpit erdhi në një moment kur tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit mbeten të larta dhe ndërsa Shtetet e Bashkuara dhe Irani vazhdojnë përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.
Trump pritet të zhvillojë takime me liderët e gjashtë vendeve të Gjirit Persik — Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit, Bahreinit, Kuvajtit dhe Omanit — në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku pritet të diskutohet edhe faza e ardhshme e konfliktit.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe e konfliktit, pasi përmes saj kalon një pjesë e konsiderueshme e tregtisë globale të naftës dhe gazit. Përplasja rreth kontrollit dhe rihapjes së kësaj rruge detare ka qenë një nga pengesat kryesore në negociatat mes Teheranit dhe Uashingtonit.

