Kancelari gjerman Friedrich Merz e ka cilësuar si “katastrofë” rezultatin e CDU-së në landin Mecklenburg-Pomerania Perëndimore, pas publikimit të projeksioneve të para të zgjedhjeve rajonale të mbajtura të dielën.
Sipas projeksionit të parë të transmetuar nga ARD, AfD renditet e para në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore me 37% të votave, e ndjekur ngushtë nga SPD me 35.5%. E Majta ka marrë 7.5%, ndërsa CDU dhe të Gjelbrit nga 5.5%. BSW është në nivelin e 5%.
Në Berlin, sipas të njëjtit exit poll, E Majta ka dalë e para me 24.5%, përpara CDU-së me 20%, AfD-së me 16%, të Gjelbërve me 15%, SPD-së me 12% dhe BSW-së me 5%.
Pas publikimit të rezultateve të para, Merz u shfaq në selinë e CDU-së në Berlin, ku pranoi rezultatin e dobët të partisë së tij në Mecklenburg-Pomerani.
“Ne nuk mund ta zbukurojmë rezultatin në Mecklenburg-Pomerani. Është katastrofë”, deklaroi Merz.
Kancelari gjerman vlerësoi ndërkohë fushatën e CDU-së në Berlin dhe falënderoi aktivistët dhe vullnetarët e partisë për angazhimin gjatë fushatës. Ai pranoi gjithashtu se fushata e CDU-së nuk kishte marrë “shtysën e nevojshme nga Berlini”.
Merz tha se rezultatet duhet të shërbejnë si sinjal për përshpejtimin e reformave në Gjermani, duke e lidhur këtë me situatën ekonomike dhe funksionimin e administratës shtetërore.
“Po shohim një shtet që është bërë tepër kompleks”, tha ai, duke argumentuar se besimi në institucionet gjermane është nën presion.
Sipas kancelarit, reformat janë të domosdoshme edhe pse ato mund të sjellin pasoja dhe pasiguri për një pjesë të qytetarëve.
“Reformat duhet të bëhen. Na duhet ndryshim dhe ndryshimi kërkon përpjekje. Jo gjithçka do të pranohet menjëherë”, u shpreh Merz.
Ai shtoi se efektet e disa prej ndryshimeve mund të shihen vetëm pas një periudhe më të gjatë.
“Por pikërisht për këtë arsye, nuk mund t’i shtyjmë më këto vendime. E marr përsipër këtë përgjegjësi sepse dua ta çoj vendin tonë përpara”, deklaroi kancelari gjerman.
Rezultati në Mecklenburg-Pomeraninë Perëndimore paraqet një goditje të rëndë elektorale për CDU-në: sipas rezultateve paraprake të raportuara pas votimit, partia ka shënuar rezultatin e saj më të dobët në këtë land që nga Lufta e Dytë Botërore.

