Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me kongresistin amerikan George Latimer, në kuadër të vizitës së tij për pjesëmarrje në Sesionin e 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kurti e ka vlerësuar Latimerin si një zë të rëndësishëm në mbështetje të Kosovës, veçanërisht sa i përket synimit të vendit për anëtarësim në NATO.
Sipas Kurtit, në takim është diskutuar për zhvillimin ekonomik, sigurinë, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara, përfshirë fushën e mbrojtjes.
Një nga çështjet e ngritura nga Kurti ka qenë edhe Kampi Bondsteel. Kryeministri tha se Kosova mbetet e interesuar që baza amerikane në Kosovë të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake të Shteteve të Bashkuara, me qëllim të forcimit të sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë në rajon.
Në takim është diskutuar edhe për personat e zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, varrezat masive dhe nevojën për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
Kurti tha se ka theksuar rëndësinë e deklasifikimit të dokumenteve dhe hapjes së arkivave nga Serbia, si dhe nevojën për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.
Në fokus edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës
Një tjetër temë e diskutimit ka qenë gjendja e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Kurti tha se me kongresistin amerikan ka diskutuar për diskriminimin dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Në prag të trevjetorit të sulmit të armatosur në Banjskë, Kurti tha se është ngritur sërish edhe çështja e Milan Radoiçiqit dhe personave të tjerë të përfshirë në sulm.
“Ngritëm sërish çështjen e Milan Radoiçiqit dhe domosdoshmërinë që ai dhe përgjegjësit tjerë të përballen me drejtësinë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar Kurti.
Sulmi në Banjskë ndodhi më 24 shtator 2023, kur në një përleshje me një grup të armatosur u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Në përfundim të takimit, Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen amerikane dhe përkrahjen dypartiake që, sipas tij, Kosova gëzon në Kongresin e Shteteve të Bashkuara.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati ynë i çmuar. Jemi thellësisht mirënjohës për miqësinë tonë të qëndrueshme dhe mbështetjen dypartiake që shteti ynë gëzon në Kongresin amerikan”, ka shkruar Kurti pas takimit.
