Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar në New York me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Në takim, sipas Kurtit, në fokus kanë qenë bashkëpunimi në infrastrukturë dhe energji, si dhe avancimi i projekteve të përbashkëta ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Kurti ka theksuar rëndësinë e përshpejtimit të procedurave për tunelin Prizren–Tetovë, duke e cilësuar atë një projekt me rëndësi për qytetarët e të dyja vendeve, por edhe për zhvillimin e turizmit dhe ekonomive të tyre.
Sipas tij, me Mickoskin është diskutuar gjithashtu edhe për zbatimin e marrëveshjes për thëngjillin.
“U pajtuam të vazhdojmë punën për realizimin e këtyre projekteve, të cilat kontribuojnë në ndërlidhjen rajonale dhe sigurinë energjetike”, ka shkruar Kurti pas takimit.
Kurti ka rikujtuar se vetëm katër javë më parë ishte zhvilluar ceremonia e nisjes së punimeve për ndërtimin e autostradës Shkup–Bllacë, ku kishte marrë pjesë së bashku me kryeministrin Mickoski.
Ai ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke thënë se Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse janë vende fqinje, janë edhe shtete mike dhe partnere.
“Kosova dhe Maqedonia e Veriut, përveçse fqinje, janë shtete mike dhe partnere, me interesa të përbashkëta për paqe, siguri, zhvillim dhe integrim euroatlantik”, ka deklaruar Kurti.
Takimi në New York vjen në kuadër të një serie takimesh që Kurti po zhvillon me liderë dhe zyrtarë ndërkombëtarë gjatë qëndrimit të tij në SHBA për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

