Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që Kosovës t’i jepet pa vonesa të mëtejme statusi i shtetit kandidat për anëtarësim në BE.
Kurti tha se këtë çështje e ka ngritur gjatë pjesëmarrjes në një drekë të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian, Kaja Kallas, me liderët e Ballkanit Perëndimor në Nju Jork.
Kurti: Statusi i kandidatit do të ishte përgjigje ndaj Kosovës
Sipas Kurtit, statusi i shtetit kandidat për anëtarësim, përveçse i merituar, do të duhej të ishte përgjigjja e BE-së ndaj, siç u shpreh ai, “besnikërisë së Kosovës ndaj vlerave demokratike” dhe përcaktimit të saj strategjik euroatlantik.
Ai tha se një vendim i tillë do të shërbente gjithashtu si nxitje për reforma dhe zhvillim të mëtejshëm në Kosovë.
“Aplikimi i Kosovës po mbahet në sirtar”
Kurti ka kritikuar faktin që aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE, i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, ende nuk ka avancuar.
“Mbajtja në sirtar e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022 në Pragë, përderisa jemi tërësisht të linjëzuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së dhe kemi shënuar përparim të rëndësishëm në pothuaj tërë fushat, përveçse padrejtësi ndaj Republikës së Kosovës do të ishte inkurajim i akterëve destabilizues rajonal dhe më gjerë”, ka shkruar Kurti.
Kritika ndaj Serbisë
Në postimin e tij, Kurti ka kritikuar edhe Serbinë, duke thënë se Kosova nuk duhet të mbetet “peng” i shtetit fqinj verior.
Ai e akuzoi Serbinë se mbron dhe shpërblen persona të cilët i cilësoi si kriminelë dhe se glorifikon persona të akuzuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe gjenocid gjatë luftërave të ish-Jugosllavisë.
Kurti gjithashtu e akuzoi Beogradin se mohon dhe fsheh krimet dhe refuzon bashkëpunimin për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë, duke e pamundësuar, sipas tij, drejtësinë.
Në fund, ai tha se Serbia vazhdon me, siç e cilësoi, “shkelje të të drejtave dhe spastrim etnik administrativ ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës”.

