Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e paraburgimit për 30 ditë ndaj dy personave, të dyshuar për fajde dhe armëmbajtje pa leje. Sipas Prokurorisë, një person kishte marrë 1,000 euro borxh, ndërsa më pas dyshohet se iu kërkuan deri në 8,000 euro.
Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti i Përgjithshëm, ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurve me inicialet S.S. dhe J.N.
Në të njëjtën kohë, Prokurori i Shtetit ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
Nga 1,000 euro borxh, dyshohet se kërkuan 8,000 euro
Sipas kërkesës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se S.S. dhe J.N., nga muaji gusht 2026 e në vazhdimësi në Rahovec, në bashkëkryerje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kanë kontraktuar një shumë dukshëm joproporcionale në këmbim të dhënies së borxhit.
Sipas Prokurorisë, i dëmtuari E.A., për shkak të gjendjes së rëndë financiare, kishte marrë nga S.S. shumën prej 1,000 eurosh.
Fillimisht, sipas pretendimeve të Prokurorisë, atij i ishte kërkuar të kthente 3,000 euro, më pas 5,000 euro, ndërsa në fund shuma ishte rritur në 8,000 euro.
Prokuroria pretendon se i dëmtuari ishte kërcënuar se, në të kundërtën, duhej të kthente paratë ose të jepte veturën e familjes së tij.
Arrestimi gjatë dorëzimit të parave
Sipas njoftimit, më 24 shtator 2026, kur E.A. u takua me S.S. për t’ia dorëzuar shumën prej 8,000 eurosh, në takim u paraqit edhe J.N.
Prokuroria pretendon se J.N., pasi paraprakisht ishte marrë vesh me S.S., i kishte thënë të dëmtuarit se 500 euro nga borxhi i marrë ishin të tij dhe se duhej të paguante 8,000 euro, pasi kamata ishte rritur.
Gjatë realizimit të masave të veçanta hetimore, të ndërmarra në kuadër të veprimeve të koordinuara me Policinë e Kosovës, pas dorëzimit të parave, S.S. dhe J.N. janë arrestuar nga zyrtarët policorë, ndërsa paratë janë sekuestruar.
Prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit, në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale “Fajdeja”, nga neni 331, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në shtëpi u gjetën nëntë fishekë
Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit S.S., sipas Prokurorisë, janë gjetur dhe sekuestruar nëntë fishekë të kalibrit 7.62×39 mm.
Prokuroria dyshon se S.S. nuk kishte leje valide për posedimin e tyre.
Për këtë rast, ai dyshohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366, paragrafi 1 i KPRK-së.
Të dyshuarit, që nga 24 shtatori 2026, ndodhen nën masën e ndalimit prej 48 orësh, të caktuar me vendim të Prokurorit të Shtetit.
Për caktimin e paraburgimit prej 30 ditësh do të vendosë Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec.
Të dyshuarit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.

