Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u ndal te rreziqet e Inteligjencës Artificiale dhe ndikimi i saj në përhapjen e informacionit të rremë.
Rama tha se Shqipëria nuk mbështet frenimin e zhvillimit të IA-së, por kërkoi krijimin e rregullave dhe një marrëveshjeje ndërkombëtare për mënyrën se si kjo teknologji duhet të përdoret dhe kontrollohet.
“Ne nuk mund të rregullojmë veten tonë deri në pafuqi. Për këtë pyetje, presidenti i SHBA-ve ka të drejtë, duhet të përshpejtojmë. IA në shërbim të qytetarëve, të përgjegjshme. Përgjigjja është kapacitet demokratik”, tha Rama.
Ai kërkoi që rregullimi i Inteligjencës Artificiale të mos mbetet vetëm në duart e shteteve më të fuqishme ekonomikisht dhe teknologjikisht.
“Shqipëria bën thirrje për një marrëveshje ndërkombëtare dhe për një inteligjencë artificiale sovrane. Sovraniteti dixhital s’mund të jetë privilegj i rezervuar për shtetet më të pasura. Gënjeshtrat udhëtojnë pa viza. Algoritmet i kapërcejnë kufijtë pa pasur nevojë për pasaportë”, u shpreh ai.
Rama përdori si shembull “Revolucionin e Flamingove”, duke e paraqitur si rast ku, sipas tij, një narrativë e krijuar dhe e amplifikuar përmes teknologjisë ndikoi në perceptimin publik dhe në protestat në Shqipëri.
“Jam i bindur se ju e keni ndjekur revolucionin e flamingove, një narrativë e fabrikuar për pushtimin izraelit të bregdetit shqiptar, një pushtim që s’ka ndodhur kurrë, por kjo u fabrikua dhe u përcoll përmes zërave, faqeve dhe kanaleve”, deklaroi Rama.
Sipas tij, qytetarët u përballën me versione të ndryshme të së njëjtës narrativë dhe protestuan mbi bazën e tyre.
“Qytetarët kishin arsyet për të protestuar, por ata papritur ishin duke protestuar kundër një fantazme tashmë”, tha kryeministri.
Megjithatë, burime të tjera për “Revolucionin e Flamingove” e përshkruajnë lëvizjen si protesta që nisën ndaj projekteve të mëdha turistike në zona bregdetare të mbrojtura, veçanërisht në zonën Vjosë-Nartë, dhe që më pas u zgjeruan në çështje më të gjera politike, mjedisore dhe institucionale.
Në përfundim të fjalimit, Rama tha se zhvillimi i Inteligjencës Artificiale nuk duhet të përcaktojë vetë drejtimin e shoqërisë, pasi vendimmarrja për mënyrën e përdorimit të saj mbetet njerëzore.
“AI nuk vendos nëse ky shekull i përket lirisë apo manipulimit. Ne e vendosim. Makineria do të bindet. Pyetja është se kujt do t’i bindet, cilit ligj dhe për çfarë qëllimi”, tha Rama.
Diskutimi për qeverisjen ndërkombëtare të IA-së është aktualisht pjesë e agjendës së OKB-së. Organizata ka vendosur tashmë bazat për bashkëpunimin global përmes Global Digital Compact dhe mekanizmave të rinj për qeverisjen e inteligjencës artificiale.
