Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbrëmë mbledhjen e dytë elektronike, në të cilën ka miratuar një numër projektligjesh dhe vendimesh që prekin sistemin e drejtësisë, sektorin e energjisë, ekonominë, administratën publike dhe menaxhimin e pronës publike.
Në mesin e vendimeve të miratuara janë disa projektligje që lidhen drejtpërdrejt me reformimin e sistemit të drejtësisë, përfshirë Byronë Shtetërore për Verifikimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, statusin dhe përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe funksionimin e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial.
Miratohet Projektligji për Byronë e Pasurisë së Pajustifikueshme
Qeveria ka miratuar Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Projektligji synon themelimin dhe organizimin e kësaj Byroje, përcaktimin e kompetencave të saj, si dhe rregullimin e procedurave për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.
Projektligje të reja për gjyqtarët dhe prokurorët
Në mbledhje janë miratuar edhe dy projektligje që lidhen me sistemin e drejtësisë.
I pari është Projektligji për Rekrutimin, Vlerësimin e Performancës, Kontrollin e Integritetit dhe Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Përmes tij përcaktohen rregullat për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Kosovë.
Ndërkaq, është miratuar edhe Projektligji për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.
Ky projektligj synon të rregullojë sistemin e përgjegjësisë disiplinore, duke përcaktuar parimet, procedurat, organet kompetente dhe masat disiplinore në rastet e shkeljes së detyrimeve profesionale.
Qeveria ka miratuar gjithashtu projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve për:
- Këshillin Gjyqësor të Kosovës;
- Këshillin Prokurorial të Kosovës;
- Akademinë e Drejtësisë.
Projektligji për Akademinë e Drejtësisë synon zhvillimin profesional të vazhdueshëm, cilësor dhe të standardizuar të gjyqtarëve, prokurorëve dhe profesionistëve të tjerë të sistemit të drejtësisë.
Ndryshime në sektorin e energjisë
Në mbledhje janë miratuar edhe Projektligji për Energjinë dhe Projektligji për Energjinë Elektrike.
Projektligji për Energjinë synon përcaktimin e parimeve dhe rregullave për aktivitetet në sektorin energjetik, me qëllim sigurimin e furnizimit të sigurt, të qëndrueshëm dhe cilësor me energji.
Ai parasheh gjithashtu krijimin e kushteve për një treg të hapur, transparent dhe konkurrues, mbrojtjen e konsumatorëve, përfshirë konsumatorët e cenueshëm, si dhe integrimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme.
Ndërkaq, Projektligji për Energjinë Elektrike përcakton rregullat dhe masat për sektorin e energjisë elektrike, duke synuar furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe çmime të përballueshme e transparente për konsumatorët fundorë.
Projektligje për ekonominë dhe bizneset
Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për Inovacion dhe Ndërmarrësi.
Qëllimi i tij është përcaktimi i parimeve, rregullave dhe mekanizmave institucionalë për mbështetjen dhe promovimin e aktiviteteve inovative dhe ndërmarrëse.
Sipas Qeverisë, kjo synon përshpejtimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, shoqëror dhe mjedisor.
Është miratuar edhe Projektligji për Pagesat e Vonuara në Transaksionet Tregtare.
Ky projektligj synon parandalimin e vonesave në pagesat ndërmjet bizneseve, si dhe ndërmjet bizneseve dhe autoriteteve publike.
Ai përcakton rregullat për afatet e pagesave dhe mënyrën e llogaritjes së kamatëvonesave.
Ratifikimi i marrëveshjes për Lojërat Mesdhetare
Në mbledhje është miratuar edhe Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim, për financimin e Projektit të Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Qeveria propozon kandidatë për Bordin e ZRRE-së
Qeveria ka miratuar vendimet për t’ia propozuar Kuvendit të Kosovës kandidatët për:
- Kryesues të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji;
- dy anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kandidatët pritet të procedohen për shqyrtim dhe vendimmarrje në Kuvend.
Miratohet Deklarata e Prioriteteve Afatmesme 2027-2029
Një tjetër vendim i miratuar është Deklarata e Prioriteteve Afatmesme të Qeverisë për periudhën 2027-2029.
Dokumenti përcakton kornizën e politikave për përgatitjen e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve dhe buxhetit vjetor, të hartuar nga Ministria e Financave.
Zgjatet mandati i Komisionit për verifikimin e diplomave
Qeveria ka ndryshuar vendimin e 19 marsit 2026 për Komisionin për Verifikimin e Diplomave të Lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.
Komisionit i është zgjatur mandati edhe për tre muaj.
Gjithashtu, është miratuar Lista e anëtarëve potencialë të Komisionit të Pranimit për Kategorinë e Ulët dhe të Mesme Drejtuese.
Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për pezullimin nga marrëdhënia e punës të një nëpunësi civil të kategorisë së lartë drejtuese.
Miratohen edhe disa qiradhënie të pronave publike
Qeveria ka miratuar një numër vendimesh për qiradhënien e pjesëve të parcelave në zona të ndryshme kadastrale, kryesisht për nxjerrjen dhe përpunimin e gurit gëlqeror, vendosjen e mekanizmave për përpunim dhe separim, si dhe shfrytëzimin e gurit dekorativ.
Parcela janë në:
- Semajë, Komuna e Kaçanikut;
- Vasilevë dhe Korroticë e Epërme, Komuna e Gllogocit;
- Rahovec;
- Samadrexhë, Komuna e Suharekës;
- Zatriq, Komuna e Rahovecit;
- Raçak, Komuna e Shtimes;
- Strazhë, Komuna e Kaçanikut.
Afatet e qiradhënies ndryshojnë sipas parcelave dhe qëllimit të shfrytëzimit, ndërsa disa prej tyre shkojnë deri në vitet 2039 dhe 2040.
Mbledhja e dytë elektronike e Qeverisë së Kosovës është zhvilluar më 25 shtator 2026, ndërsa vendimet janë publikuar më 26 shtator.

